E Diel, 1 Nëntor 2026

Gruaja mashtruese pranon akuzën para gjykatës

01/04/2005  TIRANË – Jo vetëm burrat janë ata që merren me mashtrime të njerëzve hallexhinj. Bukurie Ahmeti është një nga të pandehurat, në ngarkim të së cilës rëndojnë akuzat e vjedhjes me anë të mashtrirmit. Dy vjet më parë, e pandehura u kallëzua në Prokurori nga disa persona, të cilët u prekën nga "sëmundja" e mashtrimit. Tetë të dëmtuar dërguan në polici Ahmetin, pasi ajo me anë të mashtrimit kishte arritur t'u merrte atyre miliona lekë. I gënjente se do t’u siguronte vizë për t’u larguar nga vendi. Kështu kishte bërë me shumë persona. Disa arriti t'i largojë nga Shqipëria, kundrejt një pagese të mirë. Ndërkohë që nuk ka mundur të kryej punë për tetë të dëmtuarit, të cilët u mërzitën duke pritur dhe iu drejtuan policisë e prokurorisë. Nga secili person, Ahmeti merrte shumën e parave, sipas largësisë së shtetit. Ata që kërkonin të shkonin në Amerikë duhet të paguanin jo pak, por gati 10 mijë dollarë, për të siguruar vizën. Ndërsa më pak paguanin ata që duhej të shkonin në Kanada, Belgjikë e shtete të tjera. Për këtë akuzë, Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi Ahmetin me 7 vite burg, vitin që kaloi. Por dosja u rikthye nga Shkalla e Dytë, pasi u vërejtën shkelje të rënda proceduriale. Në seancën e djeshme, e pandehura kërkoi gjykim të shkurtuar, duke mosdashur të dëgjojë edhe një herë të dëmtuarit në sallën e gjyqit. Në seancën tjetër, prokurori Dritan Nushi do të lexojë konkluzionet përfundimtare për të pandehurën, duke i kërkuar gjykatës edhe masën e dënimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›