E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sinaj, kandidat i PS në Vlorë

01/04/2005  Kryetari i Komitetit Shtetëror të Kthimit të Pronave është kërkuar të jetë konkurrent për deputet

Këshilltari i Kryeministrit dhe Sinaj janë emrat më të rinj për qytetin bregdetar

Elektorati i Partisë Socialiste Vlorë ka kërkuar afrimin e dy emrave të rinj për të kandiduar si deputetë në këtë rreth. Sokrat Sinaj dhe Aldrin Dalipi duket se janë përzgjedhja që ka preferuar elektorati në këtë zonë. Kryetari i Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, Sokrat Sinaj, i kontaktuar nga "Metropol", lidhur me kandidimin e tij në njërën prej zonave të Vlorës tha se "aktualisht nuk kam marrë ndonjë nismë të tillë. Por, në rast të ndonjë oferte nga Partia Socialiste, do të mendohem dhe pastaj do të gjykoj për veprimet e mia të mëtejshme". Por, duket se nga kontributi që ka dhënë Sinaj në çështjen e pronave, elektorati i zonës 97, ka kërkuar që ai të kandidojë për deputet. Edhe këshilltari për mediat pranë Kryeministrit, Aldrin Dalipi, është një nga figurat më të preferuara nga baza socialiste në zonën e Vlorës. Debatet për përzgjedhjen e kandidatëve mes kryesisë së PS-së në këtë rreth dhe preferencave të elektoratrit për emrat që do të përfaqësojnë PS-së në zgjedhjet e përgjithshme duket se do të zgjidhen vetëm pasi lista përfundimtare e kandidatëve të jetë në përputhje me preferencat e anëtarësisë socialiste.

Kandidatët

Vlora, e cila është cilësuar si një nga bastionet e Partisë Socailiste, ka ndezur debate të ashpra mes strukturave drejtuese të kësaj partie për përzgjedhjen e emrave të kandidatëve për deputetë dhe elektoratit. Aktualisht emrat e përfolur në këtë listë janë Aldrin Dalipi, Theodhori Shia, Arben Saliu, Agron Meta, Sokrat Sinaj, Arben Malaj, Fatbardha Shabani, Marika Çakërri dhe Mezan Malaj, por zyrtarizimi i tyre do të bëhet nga Kryesia qendrore e partisë për të marrë më pas miratimin e KPD-së dhe të Kongresit. Ndërkohë që elektorati socialist ka kërkuar që kryesia qendrore e PS-së të ndjekë nga afër situatën e krijuar në këtë rreth pas debateve të ashpra mes kryesisë së degës Vlorë dhe këshillit zonal të këtij rrethi, për të marrë në konsideratë preferencat e bazës socialiste dhe jo preferencat personale. Për këtë çështje, dje në Vlorë është nisur një grup pune prej kryesisë qendrore, që ka dhënë mbështetjen për kërkesat e elektoratit.

Deklarata

Përzgjedhja e emrave nga elektorati socialist ka qenë puna gati tremujore e këshillave zonale të këtij rrethi dhe për këtë arsye kryetari i këtij këshilli, Ferjat Kosova, shprehet se "kemi tri muaj që kemi nisur fushatën e përzgjedhjes së kandidaturave dhe nuk mund të pranohet, që emrat të vijnë me porosi të dikujt", duke akuzuar kështu kryesinë e PS-së në këtë rreth për emërime të kandidatëve, të cilët më pas nuk do të gëzojnë votat e elektoratit. Madje, ai ka përmendur dhe propozimin që Sinaj të jetë kandidaturë për zonën 97 të qytetit të Vlorës.

Grupi i punës në përfundim të strategjisë

Grupi i punës për hartimin e platformës elektorale të Partisë Socialiste ka vijuar dje mbledhjen e tij, duke shqyrtuar materialet e sjella nga të 14 komisionet e KPD-së. Puna, e cila ka filluar prej më shumë se disa muajsh në strukturat e PS-së, tashmë pritet të zyrtarizohet nga kongresi i 23 prillit. Sipas Gramoz Ruçit, "ka gati një vit që aktorë dhe faktorë politikë, brenda forcës tonë politike, nëpërmjet komisioneve permanente, që ka PS-ja, duke tërhequr edhe mendimin e aktorëve dhe faktorëve të tjerë të shoqërisë civile, të grupe të ndryshme sociale në vend, po përpunojnë platformën elektorale të mazhorancës. Aktualisht jemi në fund të draftimit të asaj që do të bëhet publike në kongresin elektoral dhe para zgjedhësve shqiptarë në votimet e ardhshme". Në platformën elektorale të PS-së do të shqyrtohen dhe marrëdhëniet me aleatët para zgjedhjeve. Ndërkohë, nga selia socialiste janë zhvilluar takime, por në muajin prill çdo gjë do të institucionalizohet deri në një qëndrim përbashkët për në kongresin e Partisë Socialiste. Në ditët e para të muajit prill, PS-ja do të mbledhë Kryesinë e saj, ku pritet të marrë dhe miratimin platforma elektorale e mazhorancës për zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›