Beqja: Ministrja Godo e bën furnizimin me barna në fushatë elektorale
Kjo qeveri është e vetmja në botë që furnizimin me barna e bën vetëm gjatë fushatës elektorale. Kështu deklaroi Nënsekretari për Programin në PS, Ilir Beqja. Ai tha se ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo premtoi se furnizimi me barna do të zgjidhej që në tetor 2008, ndërkohë që deklaroi se barnat do të mbërrijnë vetëm në qershor kur të realizohen tenderat. Ka 45 muaj që shqiptarëve u kërkohet të mos sëmuren derisa të mbarojnë tenderat. Janë ndërruar ministrat, por nuk është rregulluar asgjë.
Edhe kur ministri ka qenë politikan, edhe kur ka qenë profesionist i mjekësisë. Edhe kur ka qenë i mandatuar nga Partia Demokratike, edhe kur ka qenë i mandatuar nga partitë aleate me PD, u shpreh Beqja. Sipas tij, kjo tregon se problemi nuk janë ministrat, por është mungesa e vizionit për të reformuar shëndetësinë. Gjithashtu, tha Beqja problemi është mungesa e instrumentit të duhur politik, pra e programit. Këtyre problemeve i shtohet edhe paaftësia dhe papërgjegjshmëria e kryeministrit të vendit.Shqiptarët janë të shtrënguar të mos kenë shërbim shëndetësor edhe për 99 ditë të tjera., tha ai. Beqja deklaroi se pas 99 ditësh, socialistët, bashkë me shqiptarët, do të ngrenë një sistem shëndetësor, ku në qendër do të jetë njeriu, dhe jo procedurat e tenderave apo loja me portofole ministrore. Gjithashtu, sipas tij një sistem shëndetësor të ndershëm, të barabartë, të shtrirë në të gjithë vendin.