E Diel, 1 Nëntor 2026

Duçkallari në Synej: Shteti të lehtësojë strehimin e rreth 20 familjeve

Sekretari Politik i Partisë Demokracia Sociale, Artur Duçkallari, vizitoi dje banorët e komunës Synej në Kavajë, të cilëve u janë shkatërruar shtëpitë, si pasojë e rrëshkitjes së dheut. Prej disa ditësh, rreth 20 shtëpi janë shkatërruar dhe dhjetra familje kanë mbetur pa strehë. Gjatë këtij takimi, banorët e komunës Synej shprehën shqetësimin e tyre për neglizhencën me të cilën janë trajtuar nga autoritetet shtetërore. Ata thanë se janë detyruar të strehohen pranë familjarëve në kushte shumë të këqija, pasi qeveria nuk ka marrë masa për tu ofruar një strehim të përkohshëm. Nga ana e tij, Duçkallari u shpreh se forcat e xhenjos dhe të ushtrisë kanë të gjithë mjetet e duhura për të pastruar zonën dhe garantuar që dëmet të mos shtrihen në shtëpi të tjera, që sot janë të rrezikuara. Duçkallari theksoi se një koordinim më i mirë mes pushtetit vendor dhe qeverisjes qendrore do të mjaftonte që rreth 20 familjet të strehoheshin me shpenzimet e shtetit dhe të përcaktohej një vend ku ata do të ndërtonin, duke u kredituar nga bankat, me kushte shumë lehtësuese. Ai u premtoi banorëve të komunës Synej në rrethin e Kavajës vazhdimin e sensibilizimit publik dhe në Parlament për fatkeqësinë e tyre. Nuk duhen të mbeteni në harresë, ashtu siç po harrohen fatkeqët e Gërdecit, të cilët shteti i hodhi në erë, tha Duçkallari.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›