Leskaj dënon sulmet e Berishës ndaj medias
"Kryeministri nuk mbulon dot premtimet e pambajtura me sulme ndaj medias". Ky ishte konstatimi i bërë dje prej kryetares së Komisionit të Mediave në Kuvend, Valentina Leskaj. Në një prononcim për shtyp, ajo denoncoi fjalorin e përdorur dy ditë më parë nga kreu i qeverisë teksa i cilësoi mediat dhe gazetarët "shpirtzinj". Kryetarja e deputetëve socialistë vlerësoi se deklarata e Kryeministrit nuk e ka çuditur, sepse është brenda vetes. "Me të gjithë sforcon që përpiqet të bëjë, kjo deklaratë është kthim në identitet që nxjerr krye sa herë që mediat kritikojnë qeverinë", vijoi Leskaj. Ajo kujtoi faktin se jo shumë larg, kohë më parë, Kryeministri përsëri sulmoi mediat për çështjen e Gërdecit. Çka sipas saj tregon se me gjithë sforcon, Kryeministri e ka të vështirë të ndryshojë. "Nuk e kanë fajin mediat që varfëria është rritur me ritme galopante, nuk e kanë fajin mediat që Kryeministri nuk ka realizuar të paktën atë që ka premtuar vet për rritjen e pagave dhe pensioneve", theksoi ajo. Ashtu sikurse, shtoi se mediat nuk kanë përgjegjësi se qeveria nuk ka bërë indeksimin e pagave dhe pensioneve, i cili duhej bërë në maj, sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi dhe vendimit të qeverisë së tij. "Pozita e vështirë e Kryeministrit për mosmbajtjen e premtimeve nuk mund të kalohet me sulm ndaj mediave", këmbënguli Leskaj. Sakaq, nënkryetari i grupit parlamentar të selisë rozë, Erion Braçe, shprehu gjithashtu shqetësim për sulmin e radhës të Sali Berishës ndaj medias së lirë. "I cili natyrisht që shërben për të nxitur veprime të dhunshme ndaj gazetarëve nga zyrtarët e tij, siç kemi parë dy ditët e fundit", theksoi Braçe. Ai këmbënguli në faktin se Berisha, edhe pas 18 vitesh, nuk po mësohet të jetojë në liri, të dëgjojë e reflektojë nga mendimet e lira. Kryeministri, vijoi Braçe, po sulmon median, si institucioni i vlerësuar në sondazhe nga opinioni publik, si më i besuari institucion, ndërkohë që qeveria e Berishës po shkon në rënie të lirë për sa i përket besimit të popullit tek ajo. Braçe kujtoi se Sali Berisha ka që në dhjetor të 2007-s, që në çdo mbledhje thotë që do të kompensojë qindarkë më qindarkë gjithkënd për krizën e çmimeve.