KLSH: Abuzimet me projektet e huaja, mbi dy milionë dollarë
Shqipëria është një vend i pasur, ku nuk vjedhin vetëm shqiptarët, por edhe të huajt. Raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka vërejtur mbi 2 milionë dollarë dëme nga investimet dhe projektet me financime të huaja. Shkelje janë evidentuar në projektin e furnizimit me ujë dhe kanalizime në Fushë-Krujë dhe Peshkopi, në projektin "Menaxhimi i burimeve ujore në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit", në furnizimin me ujë të zonave rurale Kavajë, në projektin "Mirëmbajtja e rrugëve", menaxhuar nga Njësia e Zbatimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga kontrolli i ushtruar, gjatë muajve mars-maj 2008, në fushën e investimeve dhe projekteve me financime të huaja, ka konstatuar shkelje në projektin "Mirëmbajtja e Rrugëve", menaxhuar nga Njësia e Zbatimit të Projektit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, me vlerë të kredisë 30 milionë dollarë për financimin e tij, nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IPA), si dhe në atë "Ndërtimi dhe supervizimi i segmentit rrugor Gjirokastër-Tepelenë", me vlerë 28.5 milionë euro, financim i Bankës Evropiane të Investimeve. Zëdhënësi i KLSH-së, Edvin Morava, bëri të ditur, se megjithëse projekti "Mirëmbajtja e rrugëve", ka arritur objektivin e vet, gjatë kontrollit të kryer u vërejtjen mangësi dhe shkelje me pasojë dëm ekonomik në vlerën 25.146.857 lekë. Për shkeljet e konstatuara në zbatimin e këtij projekti, KLSH-ja i ka rekomanduar Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, që krahas arkëtimit të dëmit ekonomik të lartpërmendur, t‘i propozojë Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), klasifikimin si të papranueshëm të kompanisë konsulente të huaj; zgjidhjen e kontratës për shërbime konsulente me DPRR, për ish-drejtorin dhe ish-inxhinierin e Njësisë së Zbatimit të Projektit. Ndërkohë, po përgatit materialin për kallëzim penal ndaj kompanisë konsulente të huaj dhe ndaj ish-drejtorit të Njësisë së Zbatimit të Projektit. Ndërsa, për sa i përket projektit "Ndërtimi dhe supervizimi i segmentit rrugor Gjirokastër-Tepelenë", në përfundim të kontrolleve ndaj tij, ka rezultuar mbivendosje e punimeve të kryera. Më konkretisht fondet e financuara nga projekti janë dubluar me fonde nga buxheti i shtetit; nga rritja e çmimit të shërbimit të konsulencës (bërë shtesë kontrate) në kundërshtimin me kushtet kryesore të kontratës bazë, deri në momentin e kontrollit me dëm ekonomik të llogaritur në vlerën 15.596 euro dhe nga mospagesa në afat e kontraktorit, sipas kohës së vendosur në kontratë nga Njësia e Zbatimit të Projektit, dëmi ekonomik i shkaktuar në formën e sanksionit ka rezultuar 14.778 euro. Për mangësitë dhe shkeljet e konstatuara në këtë projekt, nga KLSH-ja është kërkuar shpërblimi i vlerës së dëmit ekonomik të shkaktuar prej 30.374 eurosh dhe masa "Ndërprerje e kontratës për shërbime konsulence" për zv.drejtorin e përgjithshëm të DPRR-së.