Beqja: “Ndryshimet në buxhetin e vitit 2010 dëshmojnë krizën e mohuar ekonomike”
Eneida Jaçaj
Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja deklaroi dje se ndryshimet në buxhetin 2010 tregojnë gjendjen e rënduar ekonomike në vend. Partia Socialiste ka deklaruar edhe më parë se rishikimi i këtij buxheti është tepër i vonuar, ndërsa ka paralajmëruar se 6 mujori i këtij viti do të jetë i vështirë.
Deklarata
Deputeti Beqja shprehu shqetësimin e rritjes së të ardhurave në 6 mujorin e parë me 3,6 % sa inflacioni mesatar 6 mujor. Kështu sipas tij, rritja reale e ekonomisë është zero. Deficiti 6 mujor ka arritur në 160 milionë dollarë. Ndërsa në 6 mujorin e parë të vitit 2010 të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar janë rritur me 3,3 %, krahasuar me 6 mujorin e parë të vitit 2009. Sipas deputetit socialist, në vend kanë qarkulluar më pak mallra e shërbime se 6 mujori i parë i vitit 2009. Duke u ndalur te biznesi i vogël, Beqja u shpreh se në 6 mujorin e parë të vitit 2010 xhiro e tij nominale është ulur 3.8 %.
Ndërsa të ardhurat personale të shqiptarëve janë ulur me 8.9 % krahasuar me një vit më parë. “Ndryshimet e buxhetit janë të pajustifikuara dhe në 6 mujorin e dytë dështimi i buxhetit është i sigurtë. Nëse në 6 mujorin e parë të ardhurat janë rritur me 3.6 %, në 6 mujorin e dytë pretendohet se të ardhurat do të rriten me 18 %. Asnjë njeri nuk e beson se performanca e administrimit fiskal do të rritet 5 – 6 herë në 6 mujorin e dytë të 2010-ës, sidomos në kushtet kur ka mosrealizim në çdo zë të buxhetit të të ardhurave”, - u shpreh Beqja.
Papunësia
Më tej, deputeti Beqja u ndal te rritja e papunësisë që është një tjetër faktor, i cili dëshmon krizën ekonomike. Deputeti socialist tha se papunësia reale është mbi 30 %. Gjithashtu, është rritur edhe papunësia zyrtare. “Kësti mujor i ndihmës ekonomike ka rënë në 3,690 lekë në muaj, sipas informacioneve zyrtare. Me shpenzimet e një konsumi mujor minimal energjie elektrike dhe uji të pijshëm mbeten vetëm 17 lekë në ditë për bukë për secilën nga 96 mijë familjet që jetojnë me ndihmë ekonomike. Për këto familje në shërbimet shëndetësore është shtrenjtuar sipas tarifave të ministrit deri në 4 – 5 herë, ndërsa në qershor siç e konfirmon dhe INSTAT është 46 %”, - u shpreh Beqja, duke shtuar se në 6 muaj nuk është paguar asnjë qindarkë për kompensimin e shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike për familjet me të ardhura të ulëta. “Ministri Prifti deklaroi në nëntor të 2009-ës se janë 2 miliardë lekë kompensime. Në dhjetor Kuvendi miratoi 1 miliard lekë. Tani ky fond ulet në 650 milionë lekë, duke u pakësuar me 3 herë”, - deklaroi Prifti.
Të ardhurat
Në 6 mujorin e parë të vitit 2010, rritja e të ardhurave arrin në 3,6 % sa inflacioni mesatar
Të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar janë rritur me 3,3 %, krahasuar me 6 mujorin e parë të vitit 2010
Të ardhurat personale të shqiptarëve janë ulur me 8.9 % krahasuar me një vit më parë
Papunësia
Papunësia reale është mbi 30 %, ndërkohë është rritur edhe papunësia zyrtare
Në 6 mujorin e parë të vitit 2010 xhiro nominale e biznesit të vogël është ulur 3.8 %.
19 Korrik 2010