E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllen punimet e mbledhjes informale të Ministrave të Punëve të Jashtme të OSBE-së



Punimet e mbledhjes informale të Ministrave të Punëve të Jashtme të OSBE-së mbyllën dje në Almati në Kazakistan. Gjatë mbledhjes ministeriale, u diskutua rreth sfidave me të cilat përballet hapësira Euro-Atlantike dhe Euro-Aziatike në shekullin e 21-të dhe forcimin e pozicionit të OSBE-së në arkitekturën e sigurisë së kontinentit Europian. Në veçanti, ndërhyrjet u fokusuan në forcimin e kapaciteteve të OSBE-së në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve dhe rritjen e kontributit të Organizatës në stabilizimin e Afganistanit. “Shqipëria pret që mbledhja e Krerëve të Shteteve dhe qeverive të OSBE-së të projektojë rrugën përpara për dialogun europian për sigurinë në funksion të prioriteteve, metodologjisë dhe kalendarit”, - theksoi ministri i Jashtëm, Ilir Meta në fjalën e tij, duke shuar se mbledhja informale e Këshillit Ministerial vjen si një arritje e rëndësishme, pikërisht në një kohë mes diskutimeve të procesit të Korfuzit dhe Samitit të propozuar të OSBE-së, një ide që Shqipëria e mbështet, siç e konfirmova dhe dje në takimin me Kryetarin aktual. Duke iu referuar Ballkanit Perëndimor, Meta theksoi se pati një mirëkuptim të gjerë që ngjarjet në dy vitet e fundit, duke përfshirë Pavarësinë e Kosovës si një kontribut i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, zgjerimi i NATO-s me Shqipërinë dhe Kroacinë, si dhe progresi i gjithanshëm në axhendën e integrimit në BE, kanë shënuar një pikë kthese në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

LRI-ja nën moton “Rinia lexon” fton të rinjtë t’i rikthehen librave

Të rinjtë shqiptarë kohën e tyre ia përkushtojnë më tepër mjeteve elektronike duke lënë në harresë librat. Në këto kushte, Lëvizja Rinore për Integrim nën moton “Rinia lexon” fton të rinjtë shqiptarë që t’i rikthehen dashurisë së humbur për librin. Një grup të rinjsh, aktivistë të Lëvizjes Rinore për Integrim në Tiranë, janë regjistruar dje në Bibliotekën Kombëtare, një gjest ky që synon të motivojë të rinjtë që të jenë më afër librit dhe institucioneve kulturore. Grupi i gjimnazistëve dhe studentëve, të cilat janë anëtarë të LRI-së u paraqitën dje në ambientet Bibliotekës Kombëtare të pajisur me të gjitha dokumentet e nevojshëm për tu bërë anëtarë me të drejta të plota në këtë bibliotekë. Pasi dorëzuan dokumentet e mësipërme tek punonjësit e Bibliotekës Kombëtare, aktivistët e Lëvizjes Rinore për Integrim, ftuan të gjithë bashkëmoshatarët e tyre që të bashkohen me këtë nismë, për t‘u rikthyer tek libri, si një institucion formues dhe kulturor që nuk mund të zëvendësohet nga asnjë medium tjetër. “Kjo nismë që synon të ftojë të rinjtë që të bashkëpunojnë më shumë me bibliotekat dhe me librin do të vazhdojë dhe më tej, në të gjitha njësitë bashkiake, ku anëtarët e Lëvizjes Rinore për Integrim, por jo vetëm, do të regjistrohen në bibliotekat e lagjeve ku ata jetojnë. Kështu, ky do të jetë një shembull i mirë për t’i ftuar të rinjtë shqiptarë që të rinisin kontaktet e tyre me librin”, - u shpreh kryetari i LRI-së për Tiranën, Endrit Braimllari.

19 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›