Topalli merr pjesë në Samitin e kryeparlamentareve në Bern
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka marrë pjesë dje në Samitin e kryeparlamentareve që po zhvillon punimet në Bern të Zvicrës. Samiti i referohet luftës kundër dhunës ndaj grave dhe fëmijëve. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Topalli ka folur për forcimin e legjislacionit në Shqipëri sa i takon këtyre çështjeve. “Sfida jonë është që të thyejmë këtë mur heshtjeje duke ndërtuar parlalelisht ura komunikimi. Ndaj edhe Parlamentet tona duhet të marrin lidershipin në këtë betejë. Të gjithë bashkë duhet t’i përgjigjemi fort dhunës ndaj grave. Duhet ta penalizojmë dhunën ndaj gruas, ndaj nënës, dhe për cilindo”, është shprehur Topalli. Në këtë konferencë, kryetarja e Kuvendit u takua edhe me kryetaret e parlamenteve të Europës. Bisedat mes tyre u fokusuan në bashkëpunimin europian e botëror në luftën kunder dhunës në familje, mbrojtjen e shëndetit dhe luftës kunder kancerit si dhe mbrojten e fëmijëve. Ajo tha se është e domosdoshme që dialogu global të vazhdojë për për të ndërtuar një botë pa dhunë në familje, veçanërisht për fëmijët. Në këtë Samit botëror, kryetarja e Kuvendit shoqërohej nga nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle. Gjatë pjesëmarrjes në këtë Samit Topalli zhvilloi një takime të veçanta me kryetaren e dhomës së Lordëve të Britanisë, baroneshën Helen Hejman, kryetaren e parlamenti të Zvicrës, Paskale Bruderer Uys, të Bullgarisë Tsetska Tsacheva, të Indisë, Meira Kumar, të Pakistanit Fehmida Mirza, e të tjera homologe të pranishme në këtë konference botërore. Duke nënvizuar rëndësinë që ka pëfshirja edhe e burrave në fushatat sensibilizuese, por edhe në takime të tilla globale, kryetarja e Kuvendit në këto biseda shkëmbeu ide e përvoja, jo vetëm për në forcimin e rolit të grave në politikë por edhe për lidershipin e tyre në sfida globale politike dhe ekonomike.
Mediu: “Socialistët të mos pengojnë integrimin”
Partia Republikane ka zhvilluar një takim me aktivin e saj në qytetin e Fushë-Krujës ku u zgjodh edhe kryetari i kësaj partie për rrethin. Në këtë takim, kreu i PR-së, Fatmir Mediu bëri një analizë të zgjedhjeve të shkuara si dhe përgatitjet për procesin e ardhshëm për pushtetin vendor, të cilat, sipas tij, janë mjaft të rëndësishme dhe do të kërkojnë një riorganizim të strukturave jo vetëm në këtë zonë, por në të gjithë vendin. Mediu gjithashtu ritheksoi se procesi zgjedhor i 28 qershorit ofroi standarde të larta ndaj socialistët duhet të pranojnë sipas tij rezultatin dhe të mos bëhen pengesë në proceset eurointegruese të Shqipërisë. Gjatë fjalës së tij, Mediu kërkoi që të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor duke kërkuar ndryshimin e sistemit elektoral, në mënyrë që ai të jetë gjithëprfshirës dhe jo përjashtues.
PLL: “Masakra e Tivarit duhej të ishte zbardhur me kohë”
Partia Lëvizja e Legalitetit ka mbështetur dje ngritjen e Komisionit Parlamentar Hetimor për Masakrën e Tivarit. Nënkryetari i kësaj partie, Murat Basha është shprehur se kjo masakër duhej të ishte zbardhur vite më parë dhe të ishin dënuar krimet e komunizmit. “Pavarësisht se me vonesë, ky është një veprim që duhet inkurajuar për zbardhjen e plotë, jo vetëm të masakrës së Tivarit, por edhe të gjitha krimeve të tjera të ideuar dhe kryera nga kupola komuniste dhe veglat e saj. Dënimi i krimeve të komunizmit është domosdoshmëri e vazhdueshme që do ta ndihmojë shoqërinë shqiptare për t’u shkëputur një herë e mirë nga e kaluara tragjike dhe për ta bërë atë më të shëndetshme në proceset integruese të vendit tonë. Sepse kur shoqëria nuk e dënon krimit, atëherë krimi hyn në gjakun e saj. PLL-ja mendon se për aq kohë sa nuk është nxjerrë plotësisht në dritën e diellit e vërteta dhe autorët e krimeve të komunizmit nuk janë vënë para drejtësisë, ne do të vazhdojmë të sillemi në një rreth vicioz ku kriminelet komuniste bëjnë karshillëk rrugëve të qyteteve tona”, - është shprehur Basha.
19 Korrik 2010