Olimpiakosi mbyll dosjen “Besa”
Në Greqi e konsiderojnë të përfunduar misionin “Besa” pas fitores 5-0 të Olimpiakosit në ndeshjen e parë të turit ty dytë kualifikues të Ligës së Europës. Mediat greke pas njohjes së shortit të turit të tretë eliminator (të hedhur në selinë e UEFA-s) besojnë se Olimpiakosi do të përballet me Makabi Tel Aviv, që nga ana e tij mundi në ndeshjen e parë skuadrën malazeze Mogren (2-0). “Nga Shqipëria në Tel Aviv” shkruante portali sportiv helen Sentragoal.gr. Besa në fakt do të luajë edhe një ndeshje me Olimpiakosin në “Karaiskaki” (pa shikues), por takimi do të jetë thjesht një formalitet, ashtu siç ishte për grekët një “shëtitje” në “Qemal Stafa”. Tirana humbi 4-0 me Utrehtin në Holandë, por nëse skuadra shqiptare do të përmbyste rezultatin në ndeshjen e kthimit ajo do të ndeshej me skuadrën zvicerane Luzern në turin e tretë eliminator.
Arapi nuk bind
Ish-mbrojtësi i Besës, Renato Arapi, nuk e kaloi dot testin te Panionosi në Greqi, pasi nuk arriti të bindë trajnerin Mikael Store. Lajmi u dha nga mediat sportive greke.
Ujkani te Novara
Samir Ujkani do të ruajë portën edhe për sezonin e ardhshëm me Novarën e Serisë B. Portieri i Kombëtares shqiptare do të luajë si titullar. Lajmi e jep siti Oknovara.it
Dinamo kundër Dinamos?
Nëse Dinamo do të arrijë të eliminojë kampionen e Moldavisë, Sherif Tiraspol (humbi takimin e parë 3-1) do të përballet në turin e tretë eliminator të Ligës së Kampioneve me fituesin e çiftit Dinamo Zagreb-Koper. Në ndeshjen e parë të këtij çifti, Dinamo e Zagrebit fitoi 5-1.
Rosi: “Po funksionon gjithçka”
Është thuajse një mrekulli rikthimi i Valentino Rosit pas vetëm gjashtë javësh nga dëmtimi i rëndë në Muxhelo. “Doktori” dha kohë shumë të mira në provat e lira të Çmimit të Madh të Gjermanisë. “Çentauri” i skuderisë Jamaha e mbylli në vendin e shtatë, pas shokut të tij të skuadrës dhe liderit të kampionatit të MotoGP, Horge Lorenco, i gjashti. Pas testit motoçiklisti tha se ndihej i kënaqur: “Kavilja dhe këmba më shkaktojnë pak dhimbje, por nuk duhet të qahem. Jam më të vërtetë i lumtur, pasi ndihem më i lehtë mbi motor në raport me atë kur isha në teste. Kam shumë besim te vetja, edhe shpatulla është më mirë dhe nuk më jep probleme. Isha në gjendje të bëjë një seri xhirosh rresht dhe isha mjaftueshëm i shpejtë. Gjërat po funksionojnë”.
Zlatan Ibrahimovic rikthehet në Kombëtare
Pas një lamtumire disa muaj më parë, të dhënë për shkak të dështimit në kualifikueset e Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut, duke thënë se do t’i kushtohej ekskluzivisht karrierës së tij si lojtar, sulmuesi suedez i Barcelonës, e rimendoi vendimin duke deklaruar gjatë një konferencë në Malome se ishte gati të kthehej nën urdhrat e teknikut Erik Hamren. “Është një nder të vesh bluzën e Suedisë”. Ibra ka luajtur 62 ndeshje me fanellën e Suedisë, duke shënuar 22 herë.
Shahktari, 25 milionë euro për Robinjon
Nuk është vetëm Milani në gjurmët e talentit brazilian në forcë te Mançester Siti. Sipas gazetës angleze “Daily Mail”, nga Ukraina ka mbërritur një ofertë e firmosur nga Shahktar Donetsk. Presidenti Akhmetov është gati të derdhë 25 milionë euro për të sjellë Robinjon nën urdhrat e Mirçea Luçeskut. Fantazisti brazilian nuk bën pjesë në planet e Roberto Mançinit dhe pas një viti huazim te Santosi është në kërkim të një sistemimi përfundimtar. Shahktari, ndërkohë, i ka gati alternativat nëse operacioni “Robinjo” nuk do të realizohet. Alternativat korespondojnë me emrat e Oskar Kardozos së Benfikës dhe Luis Suarezit të Ajaksit.
17 Korrik 2010