E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqata e Ish-pronarëve, kundër draftit “Alibeaj”: Do e dërgojmë në Kushtetuese



Eljona Ballhysa
Vetëm një ditë pasi drafti i propozuar nga Enkelejd Alibeaj mori votat e deputetëve demokratë në Komisionin e Ligjeve, ka ardhur reagimi kundër i Shoqatës së Ish-pronarëve. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj shoqate, Agim Toro është shprehur se, nëse maxhoranca i qëndron deri në fund vendimit për ta miratuar ligjin edhe në seancë parlamentare, atëherë Shoqata për Drejtësi e Pronësi do ta dërgojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Kjo gjykate ka rrëzuar gjatë 5 viteve të fundit tre herë propozimet e PD-së për ndryshimet në ligjin e pronave, duke i cilësuar ato antikushtetuese. Ndërkaq, Toro është shprehur se ndryshimet e paraqitura nuk synojnë gjë tjetër, vecse të bëhet pazar me pronat e ish-pronarëve. Sipas tij, kjo është goditja e radhës e qeverisë ndaj shtresës së ish-pronarëve. Toro mendon se këto ndryshime bëhen për çështje votash, vetëm për fushatë elektorale. Ndërkaq, ai sjell në vëmendjen e qeverisë qindra vendime të Gjykatës së Strasburgut që janë dhënë në favor të pronarëve shqiptare dhe që detyrojnë qeverinë shqiptare që të paguaj shifra shumë të mëdha parash për ekzekutimin e këtyre vendimeve. Toro shton se, përveç vendimeve të dhëna, aktualisht janë rreth 230 dosje të hapura në Gjykatën e Strasburgut, shumica e të cilave, janë për fitimin e të drejtës së pronësisë.
Reagimi
“Për vitin 2009 Komisioni Europian raporton se në gjykatën e Strasburgut janë 230 dosje të hapura kundër shtetit shqiptar. Rreth 70-80% e tyre janë për çështjet e pronësisë. Nga informacioni qe kemi ne, janë gati edhe 100 apo 150 dosje të tjera të dërguara nga pronarë të ndryshëm shqiptarë në Strasburg”, - bën të ditur Toro. Duket se rrija e numrit të padive vjen edhe prej faktit se Gjykata e Strasburgut në çdo rast u ka dhënë të drejtë pronarëve, të cilët kanë përfituar nga dhjetëra mijë, në miliona euro. “Sot në gjykatë po gjykohen çështje që kapin vlera të mëdha dhe janë gjykuar çështje siç janë rasti “Bushati” apo rasti “Vrioni”, që i kalon milionat e eurove, 2-3 milionë euro për sipërfaqe toke që relativisht nuk janë të mëdha”, - thotë Toro. Fatura financiare gjithnjë në rritje e pronarëve po bëhet e papërballueshme për shtetin për të cilin Strasburgu ka dhënë edhe zgjidhje të tjera të mundshme. “Zgjidhjet tona janë tek kthimi fizik i tokës dhe Strasburgu këtë kërkon”, - tha Toro, i cili shprehet kategorikisht kundër ndryshimeve të propozuara nga deputeti Alibeaj për ligjin e pronave. “Në rast se PD-ja i qëndron deri në fund vendimit të saj për ta miratuar edhe në seancë parlamentare këtë draft, ne do ta ankimojmë atë në Gjykatën Kushtetuese”, - është shprehur sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Ish-pronarëve.
Projekti
Deputetët demokratë në Komisionin Parlamentar të Ligjeve miratuan vetëm një ditë më parë projektligjin e hartuar nga ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, për disa ndryshime në ligjin e pronave. Projekti i Alibeajt i jep të drejtën pronarëve të cilët kanë konflikt pronësie që t’i drejtohen Agjencisë së Pronave për rishqyrtimin e vendimeve të dhëna më të parë nga ish-komisionet e pronave, apo agjencitë rajonale të pronave, para se çështja të shkojë në gjykatë. AKKP-ja, sipas këtij ligji, mund të shqyrtojë vetëm ato vendime për të cilat nuk ka një vendim të prerë gjykate dhe që nuk janë në proces shqyrtimi nga gjykata. Ndërkaq opozita ka kundërshtuar miratimin e këtij projektligji, duke e cilësuar atë antikushtetues dhe në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas deputetëve të opozitës, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së nuk mund të marrë vendime të barabarta me një vendim gjykate, duke shfuqizuar titujt e pronësisë. Deputetët socialistë propozuan që ky ligj të mos miratohej, pasi Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë sërish. Ata nuk morën pjesë në votimin për çdo nen të projektligjit, duke u larguar nga mbledhja e Komisionit. Ndërkaq, në mbështetje të deputetëve të opozitës doli komisionari i Avokatit të Popullit, Alfred Paskali, i cili, ashtu sikurse PS-ja, e cilësoi draftin antikushtetues. Ndërsa, Drejtori i AKKP-së, Elvis Cefa e cilësoi projektligjin të domosdoshëm dhe që plotëson, sipas tij, një vakuum ligjor.

19 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›