Meta takon homologun izraelit, vlerësohet politika e ekuilibruar e Shqipërisë
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta gjatë pjesëmarrjes në takimin informal të Ministrave të Jashtëm të OSBE-së, ka zhvilluar një takim me homologun e tij izraelit, Avidgor Lieberman. Gjatë këtij takimi Lieberman vlerësoi qëndrimin e ekuilibruar dhe konstruktiv të politikës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe në Ballkanin Perëndimor. Ai përshëndeti anëtarësimin e vendit në NATO dhe ecurinë e procesit të integrimit Europian të Shqipërisë.
Ministri i Jashtëm Izraelit u shpreh i gatshëm dhe i interesuar për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe për të rritur investimet izraelite në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Zëvedëskryeministri Meta mirëpriti interesin e Izraelit për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe vuri theksin tek zbatimi sa më efektiv i kuadrit ekzistues të marrëveshjeve që janë në fuqi mes dy vendeve.
Duke u ndalur tek zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, Meta nënvizoi se pavarësia e Kosovës është e vetmja zgjidhje që garanton stabilitet dhe siguri afatgjatë në rajon. Ai i kërkoi homologut të tij mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, çka u konfirmua nga z. Liebermann. Meta konfirmoi edhe një herë qëndrimin e qeverisë së Shqipërisë për zgjidhjen paqësore të konfliktit në lindjen e mesme dhe dënoi aktet e dhunës nga cilado palë që ato vijnë. Dy homologët ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin në kuadër të organizatave ndërkombëtare.
Gjatë pjesëmarrjes së tij në Ministerialin e OSBE-së Meta u takua edhe me ministrin i Punëve të Jashtme të Turkmenistanit, Rashid Meredov. Biseda u përqendrua në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Meta gjithashtu u takua edhe me ministrin e Azerbajxhanit, Elmar Mamadyarov. Të dy ministrat ranë dakord për të intensifikuar kontaktet diplomatike dhe për të punuar së bashku për nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh dypalëshe, me qëllim institucionalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
19 Korrik 2010