E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrojtja e konsumatorit, METE gjobit 3 kompani private



Drejtoria e Mbrojtjes së Konsumatorit në Ministrinë e Ekonomisë ka penalizuar dhe paralajmëruar 3 subjekte të njohura në treg për parregullsi në afishimin e çmimeve dhe publicitetin. Drejtori i Politikave Tregtare në këtë ministri, Besjan Pesha, u ka kërkuar konsumatorëve të denoncojnë çdo parregullsi që hasin në treg. "Komisioni ka vendosur dhe gjobitjen e kompanive për të marrë masa për rregullimin e të gjitha çmimeve konform ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. Gjithashtu, komisioni ka shqyrtuar dy publicitete të kompanive ‘Albania Airlines’ dhe jemi duke shqyrtuar dhe kompani të tjera ajrore që janë publikuar në ueb-sitin e kësaj kompanie po edhe në forma të tjera publicitare, të cilat nga përmbajtja e tyre përmbajnë praktika çorientuese për konsumatorin. Kemi një problem shumë të madh me kompanitë ajrore në Shqipëri, sepse çmimet që vendosen zakonisht kur bëhet reklamimi i produktit që ofrojnë. Nuk janë çmime reale të cilat në fund i paguajnë konsumatorët shqiptarë”,- deklaroi dje drejtori i Politikave Tregtare në METE, Pesha. Gjithashtu ai tha se komisioni vendosi që subjekti "Uji i Ftohtë Tepelenë” të marrë masa që nga muaji nëntor i këtij viti dhe në vazhdim të heqë nga etiketa e ujit deklaratën "E miratuar nga Komuniteti Europian", e cila është një deklaratë që nuk ekziston.

5 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›