E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagat e administratës, qeveria i rriti në gusht, por kontributet i mbajti që në korrik



Vetëm dje është zbuluar blofi që qeveria bëri në kurriz të administratës publike me pagat. Në një kohë që kishte premtuar rritje të pagave që nga data 1 korrik, në mungesë të parave ajo e ka miratuar shtimin vetëm dje gjatë mbledhjes së radhës, edhe pse vendimi do t’i shtrijë efektet që nga data 1 korrik 2010. Por, ndryshe nga rritja e vonuar e pagave, qeveria nuk ka harruar t’u mbajë 105 mijë punonjësve të administratës shumat e reja të riindeksuara të kontributeve (pas rritjes së pagës), që ata duhet t’i paguajnë shtetit për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Nga ana tjetër, punonjësit e administratës i morën pagat e muajit korrik pa asnjë rritje, në të njëjtën shumë si ato të qershorit. Ministria e Financave e justifikoi mosrritjen e pagave me vonesat në procedurat për zbardhjen e vendimit të qeverisë. Sipas tyre, “vendimi i marrë në datën 8 korrik ende nuk është zbardhur, për t’u kaluar zyrtarisht institucioneve që t’i përllogarisin pagat e punonjësve të tyre sipas niveleve të reja”. Ende nuk është e qartë se kur punonjësit e administratës do t’i marrin pagat e rritura. Gjasat janë që shtesa mund të behet efektive vetëm në muajin shtator. Por, ndryshe nga sa ka ndodhur me rritjen e pagave, procedurat nuk kanë penguar hyrjen në fuqi të vendimit, i cili rrit detyrimet e kontributeve për pagat e larta. Të gjithë punonjësit e administratës me pagë më të lartë se 80 mijë lekë e kanë marrë pagën e korrikut jo me rritje, por me ulje për shkak se qeveria rriti tavanin e përllogaritjes së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga 8 mijë në 8 mijë e 400 lekë. Kjo është hera e parë kur procedurat burokratike të qeverisë vonojnë hyrjen në fuqi të rritjes së pagave. Vitet e tjera vendimi i qeverisë për rritjen e pagave është bërë gjithmonë efektiv në datën 1 korrik dhe në fillim të gushtit punonjësit e administratës kanë marrë pagat e rritura. Madje vitin e kaluar rritja e pagave hyri në fuqi që në datën 1 maj, dy muaj përpara zgjedhjeve. Në mbledhjen e datës 8 korrik qeveria vendosi rritjen e rrogave të administratës shtetërore, e cila varionte nga 2 deri në 11 për qind, me përparësi pagat e ulëta.

5 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›