E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbivendosja e pronave, AKKP rishikon vendimet e deritanishme



Agjencia do të rishikojë vendimet e deritanishme kur ato kundërshtohen nga individët që pretendojnë se janë ata pronarët e ligjshëm
Numri i kërkesave që presin një vendim prej Institutit të Revizionimit ka arritur në më shumë se 7000 raste

Kthimi pronës private te pronari i ligjshëm mbetet një nga problemet ende të pazgjidhura në vend. Për shkak të qëndrimeve abuzive, falsifikimeve, mbivendosjeve dhe korrupsionit, pronën e pronarëve të ligjshëm e kanë marrë individë të tjerë që shpesh e posedojnë atë me letra, madje “të ligjshme”. Por, një ndryshim i ligjit për pronën, i miratuar kohët e fundit nga Parlamenti, synon t'i rikthejë pronën pronarit të ligjshëm. Në bazë të këtij ndryshimi është dhënia e kompetencave ligjore Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për të rishikuar vendimet e deritanishme kur ato kundërshtohen nga individë që pretendojnë se janë ata pronarët e ligjshëm. Amendimi i ligjit të pronave ka rikthyer shpresat te mijëra pronarë të ligjshëm që deri sot nuk kanë marrë pronat e tyre. Këto shpresa mbështeten te struktura e re, që amendimi i ligjit për pronat bëri të mundur që të krijohet dhe që është Instituti i Revizionimit në AKKP. Drejtori i Përgjithshëm i kësaj agjencie, Elvis Cefa, thotë se është depozituar një numër i konsiderueshëm kërkesash për rishikim të vendimeve nga Instituti i sapokrijuar. “Numri i kërkesave që presin një vendim prej këtij instituti ka arritur në më shumë se 7000. Kjo do të thotë se janë po kaq pronarë të prezumuar që presin një vendim nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit për të njohur të drejtën e tyre të pronësisë”, - deklaroi drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, Elvis Cefa.

Rastet
Një prej këtyre pronarëve është edhe Drini Çaushi. Që prej 15 vitesh ai kërkon pronat e tij në Durrës, që ia ka marrë me vendim gjykate një tjetër. Ai thotë se disponon dokumentet origjinale, kurse personi që i mori në vitin 1995 i ka dokumentet të falsifikuara. Drini ka depozituar kërkesën dhe pret që t'i rikthehet e drejta e pronësisë. “Shpresoj që kjo strukturë e re, Instituti i Revizionimit, të veprojë shpejt dhe të kthejë pronën te pronari i ligjshëm. Janë bërë shumë padrejtësi, kanë falsifikuar dokumente, kanë marrë pronën e tjetrit. Kam shkuar edhe në dyert e gjykatave por asgjë. Kam trokitur në dyert e qeverisë, të Parlamentit, por më kanë sorollatur dhe të drejtën time nuk e kam gjetur. Kam shpresa te struktura e re”,- thotë ai. Nga ana tjetër, drejtori i AKKP-së, Cefa, ka më shumë se shpresë. Ai ka bindje. “Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk mund të krahasohet me asnjë institucion tjetër, madje as me gjykatat. Kjo pasi Agjencia ka database dhe mekanizmat ligjorë për të bërë një hetim administrativ cilësor për pronën, gjë që gjykatat nuk e kanë”, - tha Cefa.

Kthim i pronës
Ky proces nuk është i lehtë. Ai kërkon kohën e vet dhe maturi për të mos korrigjuar një padrejtësi me një padrejtësi tjetër. Ekspertët e Institutit duhet të verifikojnë dokumentacionin e dy palëve: personit që ka marrë pronën dhe personit që pretendon se është pronari i ligjshëm. “Kthimi i pronës te pronari i ligjshëm nuk është një mision i pamundur. Në mënyrë kategorike që nuk është kështu. Me kujdes, vullnet dhe bashkëpunim institucional është një mision që do të përmbyllet me sukses”,- thotë Elvis Cefa, duke folur për mediat. Ngritja e Institutit të Revizionimit është pritur ndërkohë me rezerva nga shoqata “Pronësi me drejtësi”. Burime zyrtare nga kjo shoqatë thanë se, suksesi i saj mbetet për t'u parë. Kjo shoqatë këmbëngul që kthimi pronës te pronari i ligjshëm lidhet edhe me abrogimin e Ligjit Nr. 7501 i vitit 1992, që e ndau tokën sipas parimit komunist “Toka i takon atij që e punon”. Instituti i Revizionit ka vetëm disa javë që ka filluar nga aktiviteti i tij. Pala më e interesuar për efikasitetin e tij janë pronarët e ligjshëm dhe qeveria. Të parët për të gëzuar një nga të drejtat themelore të njeriut, qeveria për të përmbushur një nga kërkesat këmbëngulëse të KE-së për progres në procesin e integrimit europian. Në Shqipëri nuk funksionon ndonjë strukturë vendase e pavarur për çështjet e pronës që të mos bëjë pjesë në një mënyrë ose në një tjetër në këto dy palë.
Nga organizatat ndërkombëtare të pranishme në Shqipëri, OSBE-ja po negocion me AKKP-në për të dhënë asistencë në strukturën e sapongritur.

5 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›