E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtrimi me kasat fiskale, bizneset kanë blerë pajisje të pakolauduara



Ervin KOÇI

Instalimi ose jo i kasave fiskale te biznesi vazhdon të mbetet akoma një makth për këtë të fundit. Ende subjektet private janë të paqarta se cilat lloj pajisjesh fiskale duhet të blejnë për të përdorur në aktivitetin e tyre. Deri tani, nga ana e Ministrisë së Financave u është dhënë e drejta dy kompanive private që të shesin, instalojnë dhe mirëmbajnë pajisjet që u kanë shitur subjekteve. Nga ana tjetër, me gjithë përcaktimin e kompanive, janë një mori biznesesh që kanë blerë më parë pajisjet fiskale në kompanitë e autorizuara nga MF-ja, kur ato ishin ende 5 në treg, por që në një pjesë të mirë këto pajisje nuk u njihen nga tatimorët. Për këto pajisje bizneset janë në pritje të një vendimi të MF-së, e cila duhet të autorizojë kompanitë që i kanë shitur t’i tërheqin nga tregu dhe të instalojnë pajisjet që janë të përshtatshme edhe me rrjetin elektronik që administrohet nga DPT-ja. Në morinë e gjithë këtyre paqartësive, një pjesë e kompanive të kasave fiskale vijojnë krejt normalisht shitjen e pajisjeve të pakolauduara dhe të pacertifikuara nga Tatimet, por edhe ato që janë autorizuar tashmë, nuk dinë se si do të veprohet me pajisjet e vjetra që ato vetë ua kanë shitur subjekteve. Biznesi, nga ana tjetër, kërkon të kompensohet ose t’i merren mbrapsht pajisjet e pakolauduara dhe t’i instalohen ato të rejat.

Biznesi
Të ndodhur mes një vorbulle paqartësish për instalimin e kasave fiskale, subjektet e biznesit, sidomos atij të vogël, janë gjendur kohët e fundit edhe nën rrebeshin e gjobave të tatimorëve. Këta të fundit kanë nisur në mbarë vendin kontrollet për përdorimin dhe instalimin e aparaturave të kasave fiskale, ku nuk kanë kursyer nga gjobat as ato subjekte që kishin instaluar dhe përdornin pajisjet e vjetra fiskale. Për administratën tatimore gjoba ndaj një subjekti privat është e njëjtë si të mos e ketë kasën fiskale, ashtu dhe sikur të ketë instaluar pajisjen e pacertifikuar. Por kjo gjë i ka irituar mjaft subjektet private, të cilat, nëpërmjet shoqatave që i përfaqësojnë, kanë nisur të ankohen si në organet tatimore, ashtu dhe në Ministrinë e Financave. Edhe në redaksinë e gazetës “Albania” kanë ardhur ditët e fundit me dhjetëra ankesa nga subjekte të ndryshme private, të cilat kërkonin sqarime dhe shprehnin ankesa në lidhje me procesin e paqartë të instalimit të pajisjeve fiskale. “Ka subjekte private që kanë bllokuar deri në 1500 euro, pasi kanë në posedim nga tri lloje kasash fiskale dhe asnjëra nuk u njihet nga Tatimet”, - tha për gazetën “Albania” përfaqësuesi i njërës prej shoqatave të biznesit të vogël. Sipas tij, subjektet e biznesit janë në pritje të udhëzimeve se si do të veprohet me kasat që ata kanë blerë te shoqëritë e njohura nga MF-ja, por që tani dalkan se janë të papërshtatshme dhe të panjohura nga rrjeti elektronik i tatimeve.

Kompanitë
Rrëmuja e krijuar mes biznesit, shtetit dhe kompanive që tregtojnë dhe instalojnë pajisje fiskale të pacertifikuara ka bërë që të bien hije dyshimi për një aferë shtet-privat (kompanitë e shitjeve). Kjo për vetë faktin se shpesh zyrat e kompanive private që marrin pagesën për çdo kasë të shitur “bëhet garante” për subjektet blerëse të mosndëshkimit nga Tatimet. Por në asnjë rast kompanitë nuk u thonë blerësve se nëse pajisja rezulton e palicencuar ose e paautorizuar nga MF-ja, ato do t’ua kthejnë pas duke u dhënë paratë ose një pajisje të re të certifikuar. Deri tani vetëm dy kompani private, nga 5 që duhet të ishin në treg, shesin disa lloje kasash fiskale që sipas tyre njihen nga MF dhe DPT. Por edhe këto kompani kanë aktualisht probleme me një pjesë të klientëve të tyre që më parë kanë blerë pajisje që sot nuk njihen nga autoritet shtetërore që u kanë dhënë licencën kompanive. Të pyetur nga gazeta, përfaqësues të këtyre kompanive thonë vetëm se “janë në pritje të udhëzimeve se si duhet të veprojnë me klientët që u kanë shitur kasa të palicencuara”. Disa herë, për shkaqe të sigurisë, janë ndryshuar modelet dhe ofertat e raportuara në Këshillin e Ministrave. Por kjo procedurë në kaq kohë ka penalizuar, me të drejtë dhe pa të drejtë, dhjetëra e qindra subjekte, kompani e ndërmarrje biznesi në të gjithë vendin. Administrata tatimore ka ashpërsuar masat ndaj biznesit që nuk është pajisur me kasa, duke pesëfishuar gjobat për subjektet që nuk i vendosin ato. Ndërkohë që është përcaktuar se cila kompani do ta kenë të drejtën e shitjes, shteti po futet në ortakëri informale për të marrë paradhënie pagesën disa milionë euro për kasat që, sipas ligjit, duhet t’i ketë çdo subjekt.

Shkurt/////////////////////////////
Eksportet, të ardhurat doganore u rritën nga kromi dhe energjia elektrike

Të ardhurat e realizuara nga doganat në muajin korrik kanë stabilizuar bilancin jopozitiv të të ardhurave gjatë muajve të parë të vitit. Ministria e Financave ka publikuar dje të dhënat e fundit për të ardhurat e vjela nga administrata doganore dhe ka dalë në përfundimin se, ka një rritje që e ka çuar realizimin e planit si 7-mujor në më shumë se 100 për qind. Sipas MF-së, administrata doganore ka realizuar planin e të ardhurave për muajin korrik 2010 në masën 105% dhe ka arkëtuar në këtë 7-mujor 8.87 miliardë lekë më shumë, ose 15.5% më tepër se e njëjta kohë e një viti më parë. Në muajin korrik 2010, administrata doganore arkëtoi 10.9 miliardë lekë nga 10.4 miliardë të planifikuara, duke realizuar planin e të ardhurave në masën 105% ose me një tejkalim prej 503 milionë lekësh. Krahasuar me muajin korrik 2009, në korrik 2010 janë arkëtuar 1.4 miliardë lekë më tepër ose 14.6% më shumë. Pasi u realizua plani 6-mujor në masën 100%, duke rikuperuar deficitet e muajve të parë të vitit, 7-mujori 2010 realizohet në masën 101%. Nga 65.5 miliardë lekë të planifikuara janë realizuar 66.05 miliardë me një tejkalim prej 521 milionë lekësh. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në 7-mujorin e vitit 2010 janë arkëtuar 66.05 miliardë lekë nga 57.18 miliardë të arkëtuara në 7-mujorin 2009 me një rritje absolute në 8.87 miliardë lekë ose 15.51% më shumë. Sivjet, volumi i eksporteve shqiptare, shprehur në sasi, është 1286 mijë tonë nga 787.8 mijë tonë të regjistruar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 498.2 mijë tonë ose 63.2% më shumë. Ndërsa si vlerë të eksporteve shqiptare gjatë këtij 7-mujori është realizuar një volum në vlerën prej 45.2 miliardë lekësh me një rritje prej 26.4 miliardë lekësh, ose 141% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, kur u realizua një vlerë prej 18.8 miliardë lekësh eksporte.

5 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›