Permbytjet banoret prane Bunes ne pritje te demshperblimeve
Tashmë që uji është tërhequr plotësisht, Shkodra po përllogarit dëmet. Një nga zonat më të prekura nga përmbytjet e fillimit të dhjetorit, është ajo pranë molos së lumit Buna. Vërshimi i ujit ka shkaktuar dëme të pallogaritshme në lokalet dhe bizneset që ngrihen përgjatë rrjedhës së lumit. Pamja që ka lënë pas përmbytja është tronditëse. Cilësimi si katastrofë natyrore i përmbytjeve të ndodhura në Shkodër merr kuptim të vërtetë në dëmet e shkaktuara në këtë zonë. Nuk bëhet fjalë vetëm për shkatërrim të të gjitha pajisjeve të brendshme të lokaleve dhe bizneseve në këtë zonë, por prurjet e Bunës kanë qenë aq të mëdha dhe të forta, sa kanë shkulur nga vendi vetratat e dyqaneve dhe thyer xhamat. Më shumë se një dëm përmbytjeje, duket sikur në zonë ka ndodhur ndonjë shpërthim i fuqishëm. Pronarët e bizneseve raportojnë për një dëm kolosal. Ata ankohen se e gjithë pasuria e tyre është shkatërruar dhe kanë mbetur në qiell të hapur. Tashmë e vetmja shpresë për ta ka mbetur nisja e përllogaritjeve të dëmeve dhe marrja e dëmshpërblimeve. Një nga pronarët e lokaleve që ngrihen pranë molos së urës së Bunës duke folur për gazetën shprehet: “Këtu uji ka arritur deri në 1 m e 70 cm dhe prezenca e tij ka qenë më e madhe se në asnjë pjesë të qytetit. Buna është shumë pranë, kështu që edhe përmbytja ka qenë më e madhe.
Prurjet e mëdha të lumit dhe era e fortë krijuan dallgë të mëdha duke i dhënë forcë rrjedhës së Bunës dhe duke shkaktuar dëme tepër të mëdha saqë janë shkulur nga vendet vetratat e të gjitha dyqaneve. Tashmë ne kemi mbetur në qiell të hapur dhe kemi të vetmen shpresë dëmshpërblimin nga shteti, pasi jemi totalisht të falimentuar. Prezenca e varkave buzë molos të ankoruara, mbi rrugë, xhamat e thyer gjithandej dhe dyqanet e boshatisura e kanë shndërruar molon, që ishte një nga vendet më të bukura të qytetit në një vend fantazmash”.
Ndërkohë që qyteti verifikon dëmet, shumë zona të fushës së Nënshkodrës vazhdojnë të jenë nën ujë. Bëhet fjalë për fshatrat që janë shndërruar në simbol të përmbytjeve: Obot, Pentarit, Cast, Daragjat e Shirgj. Pavarësisht se uji në këtë zona ka tendencë rënieje, situata vazhdon të shfaqë shumë probleme, sidomos me uljen e temperaturave dhe nevojave për më shumë ushqim për bagëtitë. Një nga fshatrat me prezencën më të lartë të ujit është fshati Obot, i cili është ende i izoluar dhe në këtë zonë nuk mund të kalohet as me automjetet e ushtrisë. Në këtë fshat mund të lëvizet vetëm me varkë, madje sipas banorëve edhe lëvizja me varkë është vështirësuar, pasi ulja e nivelit të ujit është bërë pengesë për lëvizjen normale të varkave që pengohen në shkurre dhe gardhet e banesave.