E Diel, 1 Nëntor 2026

Shirat rikthejne friken e permbytjeve

Durrës Moti i keq, probleme në port, vonesa në ankorimin e trageteve

Rikthehen reshjet e shiut e bashkë me to frika nga përmbytjet. Ndryshimi i kushteve atmosferike dhe ngritja e temperaturave ka bërë që bora në Durrës të shkrijë dhe vendin e saj ta zërë era dhe reshjet e shiut e breshrit. Kushtet atmosferike kanë shkaktuar probleme dhe vonesa në ankorimin e trageteve të linjave detare dhe pezullim të përkohshëm të aktivitetit përpunues në kalatat portuale. Nga pesë tragete që ankorohen normalisht në terminalin e trageteve, ditën e shtunë janë ankoruar vetëm katër, për shkak të keqësimit të motit. Kjo çon në manovra të vështira ankorimi dhe vendosjen e distancave më të mëdha të sigurisë nga njëri traget në tjetrin për të shmangur incidentet që mund të shkaktohen nga përplasjet mes tyre. Në det të hapur forca e dallgëzimit ka qenë 6-7 ballë, ndërsa shpejtësia e erës ka variuar nga 20 në 25 metra për sekondë, duke bërë që kompanitë detare ta shtyjnë për një moment tjetër lundrimin e anijeve tregtare, ndërsa anijet e peshkimit kanë qëndruar të mbërthyera në kalatën e tyre. Vonesat e trageteve nuk e kanë kaluar njëorëshin nga koha e parashikuar, por ankorimi i tyre ka qenë i vështirë. Ndërkaq, edhe në qytetin bregdetar era ka krijuar probleme. Një pjesë e mirë e dekorit festiv të Durrësit në këtë fundvit është dëmtuar rëndë, ndërkohë që dhe mjaft tabela reklamash janë rrëzuar. Në zonat e Shkozetit, sektorit “Iliria” të plazhit dhe të tjera zona të banuara periferike dhe në fshatra janë përfshirë sërish nga ankthi për përmbytje të reja, kur ende nuk kanë mundur të mbyllin pasojat e përmbytjeve të fillimdhjetorit. Reshjet e shiut kanë vijuar përgjatë të gjithë ditës së shtunë dhe e njëjtë parashikohet situata dhe për ditën e sotme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›