Beqja: Vendi, në krizë të thellë ekonomike
Deklarata
Partia Socialiste ngre shqetësimin për një situatë të rëndë ekonomike që ka përfshirë vendin. Deputeti i kësaj partie, Ilir Beqja, tha se qeveria po ua shtrenjton jetën shqiptarëve, duke ua bërë atë të papërballueshme. Sipas tij, vetëm ushqimet janë shtrenjtuar 7% për qind. "Ushqimet janë shtrenjtuar 7% për qind. Nesër familjeve shqiptare do t’u vijnë faturat e reja të energjisë elektrike – të paktën 10% më të shtrenjta. Kompensimet ende nuk janë zbatuar dhe mesa duket do të dështojnë si kompensimet e viteve të fundit. Sali Berisha deklaroi dje në Task Force të reformës në shëndetësi se “nuk mund të ecim para pa ditur se sa kushtojnë dhe se cili është shpenzimi që duhet të bëjmë”. Në atë tavolinë ishte edhe ministri i Shëndetësisë që në tetor 2009, brenda natës, katërfishoi tarifat e shërbimeve shëndetësore. Katër herë më shumë paguajnë për shërbimet shëndetësore 800 mijë shqiptarë të pasiguruar dhe vetëm vegla e Sali Berishës, INSTAT, nuk ka veshë të dëgjojë dhe sy të shikojë. Në këto ditë të ftohta dimri, edhe çmimi i gazit është rritur 20 për qind, si rezultat i situatës monopol në treg. Dje, papërgjegjshmëria e qeverisë së Sali Berishës vijoi, duke kërkuar edhe dyfishimin e çmimit të ujit, si fillim për të gjithë në Qarkun e Tiranës”, tha Beqja.
#