Bogdani: Leskaj pasuroi arkivën e mashtrimeve
Partia Demokratike ka përgënjeshtruar deklaratat e kryetares së grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, për rritjen e pensioneve. Zëdhënësi i saj, Gerti Bogdani, tha dje se PS-ja vazhdon të mashtrojë shqiptarë me fakte të pavërteta. “Ish-ministrja e Punës dhe Pensioneve, kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Leskaj, në emër të politikës së re të mohimit të vërtetës, nxori në treg serinë e fundit të mashtrimeve. Sipas Leskajt, pensionet sot qenkan 4.9% më të ulëta se në vitin kur ajo dorëzoi Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale. Një deklaratë e tillë mund të bëhet vetëm në kuadrin e politikës së re të mashtrimit të zotit Rama”, tha Bogdani. Zëdhënësi i Partisë Demokratike tha se rritja e pensioneve të fshatit dhe qytetit është rritur në mënyrë të ndjeshme. “Sot çdo pensionist apo pensioniste në të gjitha qytetet e Shqipërisë e di që pensioni i tij apo i saj është më i lartë. Çdo pensionist në qytet nga 83.5 $ që merrte në vitin 2005, sot merr 111 $ me kursin e këmbimit të vitit 2005. Çdo pensionist shqiptar në fshat nga 34.000 lekë pension në 2005, merr 60.500 lekë pension në 2008, pra sot merr dyfishin”, tha Bogdani. Në përgënjeshtrimin e tij, zëdhënësi i selisë blu argumentoi dhe efektet e inflacionit në ekonominë shqiptare. “Në qoftë se inflacioni është rritur me 2-4 për qind në këto tre vite, në fund të vitit çdo pensionist në qytet ka marrë një shtesë të barabartë me 5 për qind të pensionit mujor dhe çdo pensionist në fshat një shtesë të barabartë me 10 për qind të pensionit, të vlefshme për të zeruar inflacionin”, tha Bogdani. Sipas tij, “me deklarata të tilla zj. Leskaj mund të pasurojë vetëm arkivën e mashtrimeve të kryetarit të saj, por nuk mund të mashtrojë asnjë pensionist shqiptar”. Dy ditë më parë, kryetarja e grupit parlamentar socialist, Leskaj, akuzoi qeverinë dhe Kryeministrin Berisha se i ka varfëruar më shumë buxhetorët dhe pensionistët. Sipas saj, “sot shqiptarët paguajnë 30 – 80% më shumë energjinë, për të blerë bukën, vajin, sheqerin, orizin dhe artikuj të tjerë jetësorë, ndërkohë qeveria nuk ka harxhuar asnjë lek në 7 muaj për kompensimin e energjisë. Pensioni real është sot 4.9% më i ulët se në vitin 2005, për shkak të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve”.