Meta: Drejtuesit e PS-së,nënkontrakorë të Berishës
Aristir Lumezi
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka denoncuar deklaratat e Kryeministrit Berisha për sukseset e qeverisjes së tij në 7 muajt e fundit. Meta u shpreh se me këto dështime, qeverisjes së Berishës i ka ardhur fundi. “Për herë të parë, në këto 18 vjet një qeveri paraqet një bilanc 7-mujor dhe kjo tregon qartë se kemi të bëjmë me rezultatet e dështuara të një qeverie vërtet shtatanike, e cila jo vetëm që tregohet e pacipë, duke transformuar të vërtetat në gënjeshtra përpara opinionit publik, por që merr edhe guximin t’u shtojë problemet shqiptarëve në këto ditë të nxehta vere, apo t’u prishë edhe pushimet të gjithë atyre që duan të rikuperohen sadopak nga streset e prodhuara nga kjo qeverisje përgjatë këtij viti”, tha Meta. Kreu i LSI-së akuzoi qeverinë Berisha se po drejton vendin përmes një kaste korruptive, e cila po pengon dhe proceset integruese të vendit. “Berisha dhe qeverisja e tij, sponsorizuar fort nga kasta korruptive dhe autokratike që ka ndërtuar gjatë këtyre tre viteve, shkatërruan edhe sistemin institucional në vend me atentatin që i bënë Kushtetutës dhe institucioneve, duke lënë përfundimisht në kalendar e matrica ato reforma që ka kërkuar prej kohësh përparimi dhe integrimi i mëtejshëm i vendit në NATO dhe në BE”, tha Meta. Sipas tij, “edhe partnerët tanë ndërkombëtarë po i bien fort kambanave dhe prej kohësh e paralajmërojnë Berishën dhe të gjithë shqiptarët për rrezikimin e integrimit të vendit”. Kreu i LSI-së akuzoi kreun e Ekzekutivit se po fyhen shqiptarët, pasi gënjen për reforma të pakryera. “Sali Berisha ka pafytyrësinë e papërgjegjshmërinë të gënjejë për reforma të pakryera në vend apo qoftë edhe për Reformën Zgjedhore, e cila gjoja do të përfundonte përpara Samitit të NATO-s në Bukuresht, apo për kartat e identitetit që do të shpërndaheshin deri në fund të vitit të parë të qeverisjes së tij, por që duket qartë se nuk do të jenë gati as për zgjedhjet e ardhshme dhe në këtë mënyrë të vërë në një pikëpyetje të madhe edhe procesin e zgjedhjeve të ardhshme, legjitimitetin dhe integritetin e votës së shqiptarëve, duke rrezikuar realisht riciklimin e krizave të mëparshme në vend”, tha Meta. Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për bashkëpunimin PS-LSI dhe për Reformën Zgjedhore, Meta u shpreh se ky bashkëpunim do të dëmtojë interesat e të majtës. “Ne kemi vetëm shqetësimin e votës së shqiptarëve dhe kemi shqetësimin që asnjë votë e opozitës të mos shkojë dëm. Por, nëse përfaqësuesit e Partisë Socialiste vazhdojnë të ecin në drejtim të gabuar, ne nuk mund t’i ndalojmë për momentin, por padyshim që do t’ua bëjmë të qartë të gjithë shqiptarëve rolin e tyre si nënkontraktorë të Sali Berishës për të dëmtuar interesat e opozitës, interesat e demokracisë, për të degjeneruar votën e shqiptarëve”, tha Meta.
Reagimi PS
Pas deklaratës së Ilir Metës ka reaguar menjëherë zëdhënësja e kryesisë socialiste, Mimi Kodheli, e cila argumenton se bashkëpunimi i PS-së me PD-në i ka munguar politikës shqiptare në këto vite. “Ilir Meta quan të degjeneruar një bashkëpunim parlamentar që kërkohej tash e 17 vjet për reformat e integrimit në NATO e BE, kurse ne degjenerim quajmë politikën e batakut të shpifjeve e të fyerjeve dhe të pazareve mes atyre që kanë 17 vjet që ndahen si armiq e pajtohen si miq për kokë, thjesht dhe vetëm për interesa personale”, tha Kodheli.