Kapet me thikë e celular në burg i akuzuari për grabitje me armë
TIRANE - Kapet me thikë dhe celular në qeli, përfundon në izolim 25-vjeçari kryeqytetas. Burime nga burgu 313 pohojnë se disa ditë më parë, gjatë një kontrolli të kryer në ambientet e brendshme të këtij burgu nga efektivët e policisë, të paraburgosurit Fatjon Lila i është gjetur një thikë e sajuar me sendet e qelisë dhe një celular. Pas kësaj, autoritetet e burgut kanë vendosur masën ndëshkuese të mbylljes 20 ditë në izolim, ndërsa është njoftuar për këtë rast Prokuroria e Tiranës dhe SHKB e burgjeve. Burime të tjera nga burgjet pohojnë se kapja e sendeve të rrezikshme është bërë gjatë një kontrolli të shpejtë në bazë të informacioneve të sigurta, ndërsa i paraburgosuri ndodhej në sektorin ku mbahen një pjesë e VIP-ve të këtij paraburgimi. Lila është arrestuar në dhejtor 2006 i akuzuar të jetë përfshirë në tentativën për të grabitur me armë një sasi prej 100 mijë USD në rrugën "Bardhok Biba" në kryeqytet. Për këtë vepër penale ai është dënuar me 12 vjet burg një vit më vonë, por Gjykata e Apelit e kryeqytetit duke pohuar se në vendim ka mjaft shkelje procedurale e ka rikthyer çështjen për rigjykim, ku është vendosur kthimi i akteve Prokurorisë për hetime të mëtejshme. Lila ndodhet i paraburgosur bashkë me të akuzuarin për të njëjtin krim Mentor Koka. Sipas vendimit të tetorit 2007, ngjarja për të cilën ndodhen në burg të rinjtë ka ndodhur mesditën e 7 dhjetorit 2006, kur agjenti i Policisë Kriminale në Komisariatin nr.3 të Tiranës, S.Gj., ka dalë nga banesa dhe është drejtuar për në qendër të kryeqytetit për punë personale. Gjatë rrugës ai ka ndaluar te disa miqtë e tij që kanë një pikë shkëmbimi valutor në afërsi të lokalit "Buzuk Honda", ku njëri prej bashkëpronarëve i ka kërkuar atij ta ndihmonte për të transportuar një shumë prej 100 mijë USD në një banesë aty afër. Oficeri i policisë ka marrë çantën me paratë dhe është nisur, por disa metra më tutje i zënë rrugën dy persona që i drejtojnë armët. I ndodhur në kushte ekstreme për jetën, polici ka zbritur nga motori dhe e ka lëshuar çantën. Dy të panjohurit kanë marrë çantën dhe me armë drejtuar nga ai kanë tentuar të largohen. Duke përfituar dhe nga hutimi i vjedhësve, oficeri i policisë ka nxjerrë armën e tij e pasi ka deklaruar detyrën ka kërkuar që ata të linin çantën me paratë, por ata kanë qëlluar. Më pas ka qëlluar edhe ai duke i detyruar të linin paratë dhe të largoheshin me vrap. fa.ma.