Leka Zogu I, padi për pronën në Tiranë
Armand Bajrami
Leka Zogu I, djali i Mbretit Ahmet Zogu, i drejtohet Gjykatës së Tiranës, për të “shpëtuar” një pjesë të pronës së tij tek Vila Mbretërore, pranë Parlamentit në kryeqytet. Bëhet fjalë për një pronë, truall, që Familja Mbretërore Shqiptare thotë në padi se i është kthyer me vendim të Agjencisë të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në vitin 2008. Në bazë të një kontrate të nënshkruar me shtetin, para se prona t’i kthehej Familjes Mbretërore, një pjesë e saj i është dhënë me qira shoqërisë “Ida” sh.a., të përfaqësuar nga Alban Xhillari. Kreu i familjes mbretërore shprehet në padi se kontrata e qirasë nuk është respektuar nga qiramarrësi Xhillari. Për këtë shkak, Leka Zogu I i kërkon gjykatës zgjidhje të pjesshme të kontratës së qirasë, si edhe lirim dhe dorëzim të truallit. Kërkesë padia që mban si palë paditëse Leka Zogun I, si palë të paditur ka Shoqërinë “Ida” sh.a. ndërsa palë e tretë është Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës. Shqyrtimi i saj në Gjykatën e Tiranës do të bëhet nga gjyqtarja Majlinda Doga.
KONTRATA E SHKELUR
Në kërkesë padinë e depozituar në gjykatë, Leka Zogu I sqaron se është bërë pronar i truallit, së bashku me ndërtesën ish-Drejtoria Arsimore e Fshatit, në bazë të një vendimi të AKKP-së të datës 12 gusht 2008. Po aty Zogu I pohon se një pjesë e kësaj prone është dhënë me qira nga shteti, me një vendim të datës 23 maj 2005, para se kjo pronë t’i kthehej Familjes Mbretërore. Sipas kërkesë-padisë, ndonëse nga ana e palës së gjakut mbretëror janë respektuar kushtet e kontratës së lidhur nga shteti, “një fakt i tillë nuk është bërë ndërmjet palëve të reja”. “Në pikën 2.1 të kësaj kontrate është shprehur qartë se qëllimi i dhënies me qira të kësaj lulishteje është ‘për mirëmbajtje të mjedisit dhe ngritje lulishteje’, në një kohë që në fakt këtu është shkatërruar lulishtja, duke u betonuar dhe ndërtuar pa leje”, thuhet në kërkesë-padi. Në përfundim, përfaqësuesi i Familjes Mbretërore i kërkon gjykatës zgjidhjen e pjesshme të kontratës së qirasë së të vitit 2005 dhe detyrimin e palës së paditur, të lirojë dhe të dorëzojë truallin nga ndërtimet dhe çisternat e vendosura pa leje.