E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rokadë në policinë e Tiranës, ndryshojnë shefat e Rrugores



TIRANE – Policia e kryeqytetit prezantoi dje emërimet e reja në strukturat e saj të cilat kanë prekur kryesisht Sektorin e Policisë Rrugore. Emërimet u bënë publike dje nga Policia e Tiranës, ndërsa mësohet se janë kryer në kuadër të përmirësimit të punës nga ana e strukturave të policisë. Sipas deklaratës për shtyp, Artan Osmani është larguar nga detyra e shefit të Qarkullimit rrugor të kryeqytetit, por ka mbetur brenda natyrës së punës që ka kryer deri më tani, pasi është emëruar shef i Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit. Në vend të Osmanit, shef i komisariatit është emëruar Fatos Kokalari, i cili deri dje mbante detyrën e Specialistit në Sektorin e Qarkullimit dhe Sigurisë Rrugore, në departamentin e Sigurisë Publike të Policisë së Shtetit. Ndryshimet sjellin ndërkohë edhe Krenar Ahmetin në një detyrë të re. Ai ushtronte funksionin e shefit të Sektorit të Forcës së Posaçme, sektori më i ri i Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërsa dje Ahmeti është emëruar Shef i Sektorit të Rendit dhe Sigurisë Publike në Drejtorinë e Tiranës. Në vend të Ahmetit është emëruar Urim Rexhepi, i cili prej kohësh ishte në krye të Komisariatit të Policisë së Rinasit. Në komisariatin e aeroportit është emëruar ndërkohë Gëzim Përbiba, i cili më parë ka punuar në Drejtorinë e Kufirit të Durrësit. Sipas burimeve zyrtare mësohet se shkak i emërimeve të reja ka qenë kërkesa e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Hynsi Burgaj për efikasitet në parandalimin e aksidenteve rrugore. Pak kohë më parë ai ka pohuar për një ristrukturim të shërbimeve të policisë rrugore në të gjithë vendin, ndërsa Ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka kërkuar rezultate të përmirësuara në punën e policisë për parandalimin e aksidenteve rrugore. e.d

EMERIMET NE POLICI

1. Artan Osmani,shef Sektori i Policisë Rrugore, Tiranë
2. Fatos Kokalari, shef i Komisariatit të Rrugores, Tiranë
3. Shkelqim Doda, shef Sektori në Drejtorinë e Kufirit, Durrës
4. Ervin Hoxha, emërohet shef Sektori i Policisë Rrugore, Durrës
5. Krenar Ahmeti, shef i Sektorit të Rendit e Sigurisë Publike, Tiranë
6. Urim Rexhepi,shef i Forcës së Posaçme në Tiranë
7. Gëzim Përbiba,shef i Komisariatit të Rinasit
8. Koço Simaku,shef Sektori i Policisë Rrugore në Lezhë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›