Berat, 5 zjarre në 24 orë, digjen ullishtet
Pastrimi i parcelave nga barërat dhe mbeturinat me anë të zjarrit ka bërë që flakët të shkrumbojnë hektarë të tërë toke me ullishte dhe kullota në Qarkun e Beratit. Pesë raste zjarresh janë regjistruar vetëm gjatë 24 orëve të fundit në këtë qark, ndërkohë që shkaqet e rënies së tyre kanë qenë pakujdesia nga ana e fermerëve.
Drejtori i Repartit të Zjarrfikëses dhe Shpëtimit në qytetin e Beratit, Shpëtim Gorica bën me dije se ndonëse nuk jemi në një situatë favorizuese për rënien e zjarreve vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë shkaktuar pesë të tillë. Situata e 24 orëve të fundit për këtë repart ka qenë e ngarkuar dhe problematike, pasi rastet e rënies së zjarreve kanë pasur një shtrirje njëkohësisht në disa fshatra të rrethit të Beratit.
Për të pastruar parcelat e tyre nga barërat dhe mbeturinat e ngelura nga stina e dimrit fermerët vendosin zjarre, flakët e të cilave dalin jashtë kontrollit duke përfshirë parcelat e tjera, kullota, të mbjella të stinës dhe ullishte, pohon drejtori Gorica.
Zjarre janë regjistruar së fundmi në fshatrat Syzezë, ku u përfshi nga zjarri një kodër e mbjellë me ullinj ku u dogjën rreth 100 drurë, pasi fal ndërhyrjes në kohë të punonjësve tan u arrit të eliminohen flakët e zjarrit, duke shpëtuar nga djegia kodrën me rreth një mijë rrënjë ullinj. Po kështu raste zjarri ka pasur në fshatin Moravë, ku një parcelë me një mijë pemë frutorë kumbulla u shkrumbua nga flakët.
Zjarre ka pasur dhe në fshatin Otllak, ku u përfshin nga flakët dy parcela me të mbjella të stinës, bënë me dije drejtori Gorica. Për këto raste rënie zjarresh menjëherë është organizuar puna dhe fal ndërhyrjes në kohë është bërë e mundur të vihet situata në kontroll, ndërkohë që i bëjmë thirrje fermerëve që të tregtojnë kujdes gjatë punës së tyre, tha Gorica.
Erjola Azizolli