E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: PS, opozita e vetme që sdo heqjen e imunitetit. Balla: Je baba i korrupsionit

Sali Berisha

Kryeministri Sali Berisha duke folur në interpelancën e thirrur nga deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla për strategjinë antikorrupsion, ai ka cilësuar qëndrimin e opozitës për kufizimin e imunitetit si unike në botë. Berisha u shpreh se PS është e vetmja opozitë që kërkon të mbrojë qeverinë dhe administratën e saj me imunitet.

Nuk ka opozitë në botë që kërkon të mbrojë qeverinë me imunitet. Jeni unik. Paratë i ka qeveri. Korrupsion është problem për administratën, por që opozita të mos pranojë heqjen e imuniteti në historinë e partisë suaj unë besoj se kjo do të vlerësohet si qëndrimi më bizarë që do të mbahet. Cilindo variant që do të dëshironi kjo shumë do ta votojë, tha kreu i qeverisë.

Berisha mori shkas nga refuzimi i Partisë Socialiste për votimin e ligjit për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Sa i takon luftës ndaj korrupsionit, Berisha tha se shifrat flasin vetë dhe se qeveria që ai drejton ka mbajtur dhe mban në epiqendër të përpjekjeve të saj luftën ndaj korrupsioni.

Ndërsa deputeti i PS-së Balla u shpreh në fjalën e tij se programi i mazhorancës me duar të pastra është një dështim. E vetmja që mund të mbahet mend nga kjo strategji janë dy numra telefoni që nuk u përgjigjen kurrë. E kam provuar gjithë ditën nuk punon por ka nja 3 vjet që nuk punon fare, u shpreh Balla. Të dëgjova që korrupsioni është nëna e të gjitha të këqijave, ti je baba.  /F.Stafa/

*  *   *

Topalli: Ruçi, ministri i diktaturës. Ruçi: U përmbys një sistem, nuk u thye një xham

Diskutimet e projektligjit “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij” në seancën e sotme janë shoqëruar me replika mes kryetares Topalli dhe kreut të grupit parlamentar socialist, Graqmoz Ruçi.

Socialistët shprehen se nuk do ta votojnë projektligjin pasi ai bie ndesh me 12 prioritetet e KE. Sipas deputetes Arta Dade, qeveria po favorizon maxhorancën nëpërmjet këtij projetkligji.

Në këtë pikë, kryetarja e Kuvendit reagoi duke thënë Kur flisni ju për ish-pronarët, njësoj sikur me dëgju Gramoz Ruçin të flasë për të persekutuarit.

Ndërkohë, deputeti socialist u këndërpërgjigj duke thënë se shefi demokrat në vitin 1991 nuk pranoi të botonte në gazetën RD kërkesën për lirimin e të përndjekurve, gjë që u bë menjëherë pas ardhjes së Ruçit në postin e ministrit të Brendshëm.

Topalli: Kur flisni ju për ish-pronarët, njësoj sikur me dëgju Gramoz Ruçin të flasë për të persekutuarit

Ruçi: Shefi yt në 91-shin nuk pranoi të botonte në gazetën RD kërkesën e disa intektualëve tiranas për të liruar të përndjekurit nga burgu. Unë në postin e ministrit të Brendshëm hodha mbi 1500 firma që më pas i liruan ata.

 Topalli: A ishit ju ministri i Brendshëm i diktaturës apo jo?

 Ruçi: Jam bërë në 23 shkurt 1991, jo i diktaturës por i tranzicionit. Nëse nuk pranojmë këtë, nuk do të pranojmë që pluralizmi u vendos në dhjetor të 1990-s. Unë jam krenar për 3 veprime:

1500 firmat që bënë të përndjekurit të liroheshin nga burgu

Megjithëse u përmbys një sistem nuk u thye një xham, jo pastaj të vriteshin njerëz

Për herë të parë u bënë zgjedhje dhe u numëruan votat pa u manipuluar dhe humbi edhe Ramiz Alia.

Topalli: A nuk ishte ai vit, a ishit ju ministër i Brendshëm kur 4 fëmijë të gjimnazit i vratë në kufi dhe i morët trupat e tyre e i sollët në të gjitha rrugët e qytetit tim. Se kam vetëm me ty, e kam me grupin. Ishte koha kur Sali Berisha ju rrëzoi. Zoti Ruçi thotë jam krenar. Krenar se sollët trupat e fëmijëve të vdekur. Ju nuk iu ikën kurrë krenaria. Kërkoni të falur.

Ruçi:Mos luani me 4 fëmijët që ju flisni. Mos spekulloni me këtë çështje. Për cilët kufij flisni? Për kufijtë që sishin? Zonjë e nderuar, ju bëni luftë politike, por mos spekuloni as me të vrarët. Ky parlament ka bërë një rezolutë në 91-shin për këtë. Historia e parlamentit nuk ka filluar që kur keni ardhur ju në krye të tij.

*  *  *

Ruçi: Të merret parasysh kërkesa e të verbërve për të qenë pjesë e seancës 

Në nisje të seancës së sotme në Kuvend, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, ka kërkuar ndryshimin e rendit të ditës, duke marrë  fillimisht në shqyrtim statusin e të verbërve.

Ruçi theksoi se një përfaqësi e personave me aftësi të kufizuara kërkojnë të marrin pjesë në senacën plenare dhe e cilësoi të papranueshëm pengimin e ardhjes së një përfaqësie të verbrish nga Shkodra.

Aktualisht zhvillohet një demonstrim i të verbërve para Kuvendit. Ata kanë depozituar kërkesë që një përfaqësi e tyre të asistojnë në punimet e Kuvendit. Kërkoj që kjo kërkesë e tyre të merret parasysh, duke parë edhe pamundësitë e tyre fizike për të qëndruar në pritje, tha Ruçi.

Kërkesa e Ruçit u mor pasasysh nga kryeparlamentarja Topalli, e cila pas konsultimit me kreun e Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka vendosur të lejojë një përfaqësi prej 10 vetash në Kuvend.

Ndërsa Kuvendi pritet të shqyrtojë sot dy projektligjet “Për statusin e të verbrit” dhe “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, një numër i madh individësh që i përkasin kësaj kategorie kanë planifikuar një protestë që kundërshton vendimin e qevrisë që u heq të drejtën për transport falas dhe kompesimin e faturës së telefonisë dhe enegjisë elektrike. / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›