E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tropojë, burg pa afat tre vrasësve të taksistit Sinani

 

TROPOJE - Me akuzat e vrasjes së paramenduar në bashkëpunim dhe fshehjen e kufomës, tre personat e akuzuar për ekzekutimin e taksistit Avni Sinani javën e shkuar janë lënë në burg pa afat. Dy vëllezërit Jetmir e Granit Hasanpapaj si dhe bashkëshortja e njërit prej tyre do të presin në qeli fundin e hetimeve për ta. Faktet e gjetura nga grupi hetimor si dhe dëshmitë e vetë të akuzuarve ishin të pakundërshtueshme në sallën e gjyqit për krimin ndaj taksistit tropojan. Kërkesën e prokurorisë e ka lënë në fuqi dhe kryetari i trupit gjykues. Ndërkohë, grupi i ekspertëve vazhdon të hetojë dhe të hedhë dritë mbi këtë vrasje makabre që tronditi gjithë rajonin verior për nga mënyra e ekzekutimit dhe më pas tentativa për të fshehur kufomën. Burime nga grupi hetimor thonë se po përvijohet pista se përveç plagëve të marra viktima ka vdekur dhe nga asfiksia në bagazhin e makinës së vet, ku dhe u fut nga vrasësit. Ata, pasi e qëlluan me mjete të forta e kanë fshehur në bagazh, duke kujtuar se ai kishte ndërruar jetë. Këtë fakt pritet ta zbardhin ekspertët, sipas të cilëve mungesa e ajrit në bagazh dhe plagët e rënda i kanë shkaktuar vdekjen Sinanit. Madje, mendohet se ai ka tentuar t'i telefonojë një të afërmi të tij nga bagazhi i autoveturës, por ka qenë i pafuqishëm të flasë. Edhe autorët kanë pohuar se ia kishin lidhur duart kur e kanë hipur në bagazh, por kur e kanë zbritur i kishte zgjidhur ato. Fundi i hetimeve do të japë dhe konkluzionin e saktë të ngjarjes së rëndë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›