Breshëri në superstradë, ekzekutohet 25-vjeçari
KURBIN/ ROLAND NIKOLLI
Breshëri armësh pranë superstradës, mbetet i vdekur 25-vjeçari. Oligert Leti ndërroi jetë pasditen e djeshme, pas një dyluftimi që terrorizoi Fushë-Milotin. Një ngjarje e paralajmëruar për hakmarrje, pasi viktima, bashkë me një tjetër, qëlluan dy vjet më parë mbi autorin e dyshuar të krimit. Burime të policisë bënë të ditur se vrasja ka ndodhur në rrugën që lidh Milotin me superstradën. Leti, në kohën kur ka qenë duke u shkëmbyer me makinën e tij me të dyshuarin Alfred Preçi, ka nxjerrë automatikun duke qëlluar mbi të. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Preçit, i cili ka nisur gjithashtu të qëllojë drejt 25-vjeçarit. Ndërkohë, burimet pohojnë se dy të rinjtë kanë zbritur nga makinat, duke vazhduar të qëllojnë njëri-tjetrin me armë zjarri. Në ato momente, dhjetëra makina kanë ndaluar dhe pasagjerët e tyre kanë marrë arratinë, duke u strehuar nëpër kanalet afër rrugës. Pasi Leti është shtrirë i gjakosur, autori i dyshuar si Alfred Preçi ka marrë arratinë. Dëshmitarët e rastit i kanë dhënë ndihmën e parë të riut, duke e transportuar me makinë drejt spitalit të Laçit. Por, sapo ka mbërritur, Leti ka ndërruar jetë pa mundur të marrë ndihmën e shpejtë. Pas mbërritjes në spital të Oligert Letit, policia e Kurbinit është nisur në drejtim të vendit të ngjarjes, ndërsa ka gjetur mbi 30 gëzhoja automatiku. Forca të shumta kanë ngritur postblloqe në të gjithë akset rrugore, por pa mundur të ndalojnë autorin e krimit. Emri i Preçit është i dyshuari kryesor i policisë, pasi janë verifikuar konfliktet e viktimës. Dy vite më parë, pikërisht më 3 gusht 2007, Alfred Preçi është qëlluar me armë në qendër të Milotit nga ana e Gent Allamanit dhe Oligert Letit. Sipas burimeve të mirinformuara dy shokët, pasi kanë ndaluar me makinë afër Preçit e kanë qëlluar disa herë me pistoletë, por asnjë prej plumbave nuk e preku atë. Sipas policisë, konflikti i atëhershëm kishte nisur pas një zënke të rëndomtë mes të rinjve, pas lagies me ujë të njërës prej makinave. Në atë kohë pohohet se Preçi ka rrahur me grushte Allamanin, i cili me një pistoletë TT i kreu atentat, në shoqërinë e Letit. Policia arriti që 1 vit më parë të ndalonte Allamanin, ndërsa Leti dhe Preçi ishin të lirë. Debatet mes tyre kanë vazhduar dhe ditët e fundit, duke shënuar dhe krimin e djeshëm. Nisur nga ky konflikt dhe dëshmitë e dhëna nga personat që panë skenën e shkëmbimit të zjarrit pasditen e djeshme, policia ka hedhur dyshime mbi Alfred Preçin, i cili është në kërkim prej momentit të krimit.
LEZHE, dalin për gjah, vritet 26-vjeçari
Dalin për gjah, vret bashkëfshatarin nga pakujdesia. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00 të së dielës kur Skënder Daja, nga Ishull-Shëngjin, ka dalë për të gjuajtur me çifte së bashku me 26-vjeçarin Kujtim Elezi. Por ky i fundit është bërë viktimë e gjahtarit amator. Sipas zëdhënëses së policisë së Lezhës, Elo-na Nika, pasi kanë gjuajtur gjatë ditës, në mbrëmje të dy së bashku kanë marrë sërish udhën drejt fshatit të tyre. Por Elezi ka ecur pak më përpara se Daja. Më vonë, ai ka dalë nga një kallamishte para tij, ndërsa 40-vjeçari duke pandehur se përpara i kishte dalë ndonjë kafshë ka qëlluar, duke e lënë 26-vjeçarin të vdekur në vend. Daja ka njoftuar menjëherë familjarët dhe policinë për ngjarjen e ndodhur. Kjo e fundit mbërriti në vendin e ngjarjes dhe arrestoi me akuzën e vrasjes nga pakujdesia autorin. r.n