E Diel, 1 Nëntor 2026

Policët shqiptarë, trajnim me lazer për armë zjarri

 

TIRANE - Policët shqiptarë do të kenë mundësi që të stërviten në një poligon me rreze lazer, ku do ju serviren situata reale për përdorimin e armës. Një investim i programit amerikan ICITAP, që kap shifrën e 111 mijë dollarëve, i është dhuruar dje Policisë së Shtetit, në praninë e Ministrit të Brendshëm Bujar Nishani, ambasadorit amerikan Xhon Widhers dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ahmet Prençi. Ceremonia e dhurimit të aparaturës STAZ (Simulator Trainimi për Armë Zjarri) është zhvilluar në ambientet e Qendrës së Formimit Policor. Ky është një sistem i sofistikuar me përdorim të videove ndërvepruese dhe armë me rreze lazer për simulimin e shenjestrimit dhe vendimmarrjes për përdorimin e armës. Projekti i ofron Policisë se Shtetit mundësinë për të trajnuar punonjësit e policisë mbi përdorimin e armëve të zjarrit, vlerësimin e aftësive të tyre qitëse bazë dhe të avancuara, si dhe mundësinë për të simuluar kushte dhe situata reale, ku punonjësit e policisë duhet të vendosin kur dhe sa forcë të përdorin nën kushtet e stresit. Përveç trajnimit të oficerëve të policisë dhe të rekrutëve të rinj në mjeshtërinë e qitjes, sistemi, falë videove simuluese që ofron, trajnon aftësimin vendimmarrës, në lidhje me përdorimin e justifikuar të forcës vdekjeprurëse. Ky sistem i sofistikuar, gjithashtu i ofron Policisë së Shtetit mundësinë për të krijuar video ndërvepruese të tjera për t'u përdorur në simulator. ICITAP ofroi rreth 111 mijë dollarë si fond kryesor për këtë projekt, duke mbuluar blerjen e sistemit STAZ, instalimin e pajisjes si dhe trajnimin e instruktorëve të armëve të zjarrit. Policia e Shtetit kontribuoi në rinovimin e një klase ekzistuese për përdorimin ekskluziv të këtij sistemi.                 e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›