E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, Mangalemi dhe Gorica shpallen zona të pabanueshme

Një natë pas rrokullisjes së gurit gjigant nga masivi shkëmbor i kodrës së kalasë së Beratit, banorët e Mangalemit kanë qenë ende të terrorizuar. Të parët, që janë gjendur pranë banesave të lagjes dje në mëngjes kanë qenë vetë banorët, të shqetësuar për të parë në dritë të diellit çfarë dëmesh u ishin shkaktuar nga rënia e gurit gjigant. Por, nuk kanë vonuar edhe drejtuesit e pushtetit lokal dhe institucionet speciale lokale të menaxhimit të emergjencave civile. Prefekti i Qarkut të Beratit, Kostandin Lefta, ka urdhëruar ngritjen e menjëhershme të grupit operativ të punës, për njohjen dhe menaxhimin e situatës, evakuimin e familjeve që kërcënohen nga shkëputja e gurëve të tjerë, si dhe verifikimin e vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe riparimin e tyre.

Vlerësimi i situatës

Që në orët e para të ditës së djeshme, në lagjen "Mangalem" janë gjendur të gjithë krerët e pushtetit lokal, por edhe struktura e specialistë të emergjencave civile, të cilët kanë verifikuar gjendjen në vend dhe kanë dhënë orientimet e tyre për menaxhimin e shpejtë të situatës. Burimet nga grupi operativ i punës, i ngritur me urdhrin e prefektit Lefta kanë sqaruar se masivi shkëmbor i kodrës së kalasë është shkëputur nga një lartësi rreth 150 metra dhe është rrokullisur drejt banesave të lagjes së vjetër, duke përfunduar në rrugën nacionale mbi një autoveturë private. Madhësia e masivit shkëmbor ka qenë rreth 1.5 metra kub dhe me peshë rreth 4 tonë. Ndërsa trajektorja e rënies së tij ka përshkuar gjithsej shtatë goditje në terren, nga të cilat dy në objekte private dhe e fundit mbi një autoveturë të parkuar buzë rrugës kryesore, që përshkon qytetin. Fatmirësisht, nuk ka pasur të lënduar dhe as dëme të mëdha materiale.

Dëmet

Sipas konfirmimit zyrtar të grupit operativ të punës, dëmtimet kanë qenë minimale, nëse shihet potenciali i dëmtimeve me trajektoren që ka përshkuar rrokullisja e gurit gjigant mes përmes "Mangalemit". Janë dëmtuar në mënyrë të pjesshme një mur mbajtës i rrugës së kalldrëmtë të lagjes, muri mbajtës dhe çatia e lokalit të shtetasit Behar Gega dhe autovetura tip "Lançia Tema" me targë BR6996A, në pronësi të shtetasit Engjellush Hazizaj, vlera e të cilës është 500 mijë lekë të reja.

Rreziku

Grupi operativ i punës, për menaxhimin e situatës, ka vlerësuar se gjendja vazhdon të mbetet e rrezikshme për sigurinë e jetës dhe pronave të banorëve të lagjes, por edhe për të gjithë ata që do t‘u duhet të kalojnë në rrugën ndanë saj. Në shpatin shkëmbor-lindor të kodrës së kalasë, disa metra mbi banesat karakteristike të lagjes "Mangalem" dhe pranë vendit ku rreth orës 21.10 minuta të datës 23 korrik 2009 u shkëput guri gjigant, ekziston ende rreziku i shkëputjes së gurëve të tjerë, madje dhe të së njëjtës përmasë, të cilët e bëjnë të pabanueshme lagjen. Në raportin e grupit operativ të punës thuhet gjithashtu se, në shpatin e kodrës ekzistojnë dhjetëra e deri dhe qindra gurë të përmasave të ndryshme, si dhe masive shkëmbore të shkëputur kohë më parë, të cilët gjithashtu përbëjnë një rrezik real për jetën e banorëve të lagjes.

Rastet

Rënia e gurëve mbi

dy lagjet e vjetra

Në kujtesën e banorëve të vjetër të lagjeve shumëshekullore "Goricë" dhe "Mangalem", por edhe në statistikat zyrtare të pushtetit lokal, janë evidentuar dhjetëra rrokullisje të gurëve e masiveve shkëmbore. Por, ato që kanë mbetur më shumë në kujtesën e tyre kanë qenë:

Në vitin 1947 një gur i përmasave jo shumë të mëdha, ka rënë nga lartësia e kodrës së kalasë dhe ka plagosur rëndë në njërën këmbë, zonjën Lizheta Toromani, që banon në fund të lagjes dhe buzë rrugës nacionale.

Në vitin 1962 një gur gjigant i shkëputur nga masivi ka ndaluar në oborrin e shtëpisë së shtetasit Nasho Mata, në lagjen "Goricë"

Në vitin 2006 një gur gjigant është shkëputur nga lartësia e malit Partizani, mbi lagjen e vjetër të Goricës, pas mesnate, ka çarë murin e shtëpisë së shtetasit Vasil Lapi, banor i kësaj lagjeje dhe ka ndaluar në dhomën ku flinte vajza e tij.

Ndërhyrjet

Masat e marra në vitet

1959, 2004 dhe 2006

Për herë të parë, rënia e gurëve nga masivi shkëmbor i kodrës së kalasë u konsiderua si problem që kërkonte zgjidhje në vitin 1959, ku përveç specialistëve shqiptarë, në studimin e fenomenit u angazhuan edhe disa specialistë rusë, të cilët vendosën vënien e rrjetave pritëse. Por, kjo nuk u arrit gjatë kohës së qëndrimit të tyre në Shqipëri. Ky projekt u realizua nga specialistët kinezë në vitin 1971, ku ndërhyrja u bë nga një grup alpinistësh me përvojë, të cilët vendosën rrjetën e parë metalike për pengimin e rënies së një masivi gjigant prej rreth 64 metrash kub gurësh. Por, me kalimin e viteve, masat e marra e humbën vlerën e tyre. Shkëmbi i madh që kërcënonte "Mangalemin" u arrit të thërrmohej nga forcat xheniere të ushtrisë vetëm në vitin 2004, pas shumë kërkesave të banorëve të lagjes.

Në vitin 2006, forcat xheniere ndërhynë sërish për ndërtimin e rrjetës mbajtëse metalike, për frenimin e masivit të rrëshqitur në malin Partizani, mbi lagjen "Goricë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›