E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e 5-vjeçarit, në pranga tre mjekë

Tre mjekë të spitalit të Korçës janë arrestuar nën akuzën e mjekimit të pakujdesshëm për rastin e vdekjes së 5-vjeçarit, Viktor Balliu. Vdekja tragjike e fëmijës në spital pas pickimit nga gjarpri dhe denoncimi i bërë nga familjarët ndaj bluzave të bardha për neglizhencën dhe mostrajtimin e fëmijës në kohën e duhur me serumin antivipera ka vënë në pranga tre nga mjekët e spitalit të Korçës.

Policia ka arrestuar tre mjekët, pjesë të ekipit mjekësor që kanë trajtuar rastin e fëmijës 5 vjeç, të cilët janë reanimatori Ilir Milo, ndihmësanestezisti Julian Mato dhe infermieri Olgert Hoxhallari. Pas hetimeve që prokuroria e Korçës ka filluar për vdekjen e Viktor Balliut, ata janë ndaluar si përgjegjës për vdekjen e fëmijës të cilit nuk iu dha antidoti edhe pse ai gjendej në farmacinë e spitalit të qytetit.

Në bazë të një urdhri ndalimi të lëshuar gjatë orëve të pasdites nga ana e Prokurorisë së Rrethit të Korçës, policia ka arrestuar tre mjekët, ndaj të cilëve rëndon akuza e mjekimit të pakujdesshëm dhe mosdhënia e ndihmës mjekësore ndaj shtetasit Viktor Balliu. Përgjegjësia ka rënë mbi të tre personat për faktin se nuk janë interesuar për të tërhequr nga farmacia e spitalit medikamentin që mund të shpëtonte fëmijën.

Sipas të dhënave nga burime zyrtare pranë Prokurorisë së Rrethit të Korçës, nga hetimet ka rezultuar se as mjeku dhe as stafi ndihmës i tij nuk kanë bërë përpjekjet e duhura për të shpëtuar jetën e 5-vjeçarit, duke mos treguar interes për gjetjen e antidotit.

Kjo ka bërë që grupi hetimor që ka marrë në pyetje stafin mjekësor të spitalit të kërkojë lëshimin e urdhrit të ndalimit nga ana e prokurorisë, ndërkohë që edhe familjarët duket se kanë vënë gishtin për fajësinë te tre personat që janë tashmë zyrtarisht nën akuzë.

Nga ana tjetër, në një mbledhje që ka zgjatur për orë të tëra, në zyrën e drejtorit të spitalit të Korçës ka mbërritur një ekip mjekësh specialistë të ngarkuar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë për t‘u njohur me këtë rast. Mbledhja që është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe pa praninë e medias ka vijuar deri pas mesdite në prezencë të mjekëve të repartit të kirurgjisë, ku janë diskutuar të dhënat e kartelës klinike, gama e medikamenteve të përdorura për pacientin, mënyra e trajtimit, si dhe gjendja shëndetësore dhe shkalla e helmimit.

Mbledhja mësohet se ka kaluar me debate të shumta. Nga ana e stafit të spitalit të Korçës kërkoheshin të dhënat mbi mënyrën se si është trajtuar fëmija 5-vjeçar, por edhe për veprimet procedurale që janë ndjekur që nga momenti i shtrimit në spital, ndërhyrja gjatë orëve që fëmija ka qëndruar në kushtet spitalore, dhe në rast se nga ana e mjekëve të Korçës mund të kryhej në kohë trajtimi me antidot.

Fakti se nuk janë kryer përpjekjet e duhura për të gjetur serumin ka qenë një tjetër çështje që është trajtuar në mbledhjen me mjekët ekspertë reanimatorë që kanë mbërritur në spitalin e Korçës. Pas kalimit të çështjes në duart e prokurorisë, nga ana e drejtorisë së spitalit nuk u komunikua asnjë masë pezullimi. Konkluzionet e takimit dhe ballafaqimit me mjekët do t‘i kalojnë për dijeni Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkohë që sipas drejtorit, një vendim apo masa të tjera do të bëhen të ditura zyrtarisht në një tjetër moment.

Të arrestuarit

Ilir Milo, mjek reanimator

Julian Mato, ndihmësanestezist

Olgert Hoxhallari, ndihmësmjek

Ngjarja

Djali, 5 vjeç, vdiq se nuk i dhanë antidotin

Viktor Balliu, 5 vjeç, humbi jetën të shtunën në spitalin e Korçës, disa orë pasi ishte pickuar nga një gjarpër në fshatin Leminot, ku banonte. Viktori kishte dalë në mëngjes bashkë me vëllain e tij dhe prindërve u kishte thënë se do të shkonin për vizitë te halla. Por në fakt, fëmijët kishin planifikuar që të shkonin në rezervuarin e fshatit për t‘u larë. Rruga që të çon për në rezervuar kalon përmes një are me jonxhë dhe duke ecur nëpër të, mendohet se djali është pickuar nga një gjarpër. Fëmija ka mbërritur në shtëpinë e tij në gjendje të rëndë shëndetësore rreth orës 12:35 të së shtunës. Për familjen e varfër nga fshati ka qenë e vështirë të identifikohej menjëherë shkaku i gjendjes së vogëlushit. Nëna e tij thotë se djali ishte fryrë në fytyrë dhe kishte të vjella, por nuk e ka ditur të përcaktojë se fëmija ishte pickuar nga gjarpri. Pasi gjendja shëndetësore e djalit është rënduar, ka qenë halla e tij, e cila që pasi ka parë një shenjë në pjesën e këmbës, u ka kërkuar prindërve të vogëlushit ta transportojnë drejt spitalit të Korçës ku ka marrë edhe mjekimet e para. Por edhe pse është konstatuar shpejt se bëhej fjalë për një pickim gjarpri, mjekët e spitalit të Korçës nuk e kanë trajtuar fëmijën me serumin antivipera. Nëna e djalit të vdekur thotë se mjekët i thanë ta blinte në farmaci ilaçin që kushtonte 8 mijë lekë të reja. Nëna tregoi se mund t‘i kishte gjetur paratë, edhe pse nuk i ndodheshin, por nuk kishte mundur ta gjente në farmaci medikamentin e kërkuar dhe për këtë arsye djali vdiq. Vetëm të nesërmen e ngjarjes u mësua se serumi antivipera që ishte i domosdoshëm për shpëtimin e fëmijës së helmuar, ndodhej në farmacinë e spitalit, por mjekët as që nuk kishin pyetur në këtë farmaci, por u kishin kërkuar prindërve ta gjenin në rrugë private.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›