Berisha nga Danimarka: Obama do të vizitojë Shqipërinë
Sipas njoftimit zyrtar të kryeministrisë, Presidenti amerikan i ka premtuar Berishës një vizitë në Shqipëri
KOPENHAGEN- Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka ftuar për një vizitë në vendin tonë presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obamën. Gjatë një takimi të shkurtër të zhvilluar me të në Danimarkë, presidenti amerikan i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit Berisha.
Sipas njoftimit për shtyp të Kryeministrisë bëhet e ditur se presidenti i SHBA-së thjesht ka pohuar se kjo do të ndodhë. Gjatë pjesëmarrjes në Samitin për Ndryshimin e Klimës në Danimarkë, Berisha ka zhvilluar edhe një takim të shkurtër me sekretaren amerikane të shtetit Hilari Klinton.
Gjithashtu, përveç presidentit Obama, Berisha u shpreh se edhe sekretarja e shtetit Hilari Klinton do të jetë e pranishme në Shqipëri, por pa përcaktuar asnjë datë konkrete. Lidhur me këto dy takime, Berisha vuri në dukje se Obama tregoi një interes për Shqipërinë dhe se e mirëpriti ftesën për të ardhur në Shqipëri.
Këto takime, Berisha i zhvilloi në drekën zyrtare, që u shtrua nga Kryeministri i Danimarkës, vend të cilin marrin pjesë liderë nga e gjithë bota për të diskutuar mbi ndryshimet klimaterike dhe efektin e tyre në rang global.
"Pata rastin të takohem shkurtimisht dhe të bisedoj shkurtimisht, por shumë përzemërsisht me Presidentin Obama, i cili tregoi një interes të gjallë për Shqipërinë. Unë iu përgjigja interesit të tij se të gjithë shqiptarët po presin ngjarjen e premtuar, vizitën e Presidentit Obama në Shqipëri.
Presidenti Obama mu përgjigj me shumë kënaqësi se "It will happen", do të ndodhë dhe unë, tha z. Obama, do të vij. Po ashtu, gjatë drekës takova përsëri Sekretaren Amerikane të Shtetit znj.
Hilari Klinton, me të cilën shkëmbyem jo vetëm përshëndetje, por edhe mendime të përzemërta. Sekretarja e Shtetit, Klinton sërish më premtoi se do të vizitojë Shqipërinë",- tha dje Berisha nga Danimarka. Nëse Barak Obama do të vizitojë Shqipërinë atëherë, kjo do të jetë hera e dytë që një president i shtetit më të fuqishëm të botës viziton vendin tonë, pas vizitës që kreu më 10 qershor të vitit 2007, ish- presidenti i Amerikës, Xhorxh W. Bush.