E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Dialog? Ja kërkesat që duhet të plotësohen

Gjatë protestës në Vlorë dhe Fier, Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka bërë publike kërkesat, realizimi i të cilave do të mundësonte uljen në tryezë me mazhorancën

Partia Socialiste është e gatshme të pranojë dialogun me mazhorancën në funksion të gjetjes së një zgjidhje të pranueshme për krizën politike dhe ekonomike të vendit, por duke kërkuar më parë prej shumicës plotësimin e tri kërkesave: tërheqja e akuzave ndaj opozitës, hetimin real të skandalit të rrugës "Rrëshen-Kalimash", si dhe hapjen e kutive të votimit.

Kreu socialist, Edi Rama, duke folur nga Vlora dhe Fieri, ku PS-ja ka vijuar dje protestat e radhës, i ka kthyer përgjigje pozitive ftesës së mazhorancës për të nisur dialogun, por duke e kushtëzuar këtë veprim me një sërë masash paraprake që në thelb kanë të bëjnë pikërisht me çështjet, për të cilat opozita ka më shumë se dy muaj që gjendet në sheshe duke protestuar. "Dialog? Po. Por më parë të marrin mbrapsht akuzat e turpshme dhe shpifjet monstruoze ndaj opozitës.

Dialog? Po. Por më parë të hapin kutinë e mbyllur të të dhënave reale të realitetit të plagëve të ekonomisë, duke filluar nga tuneli i Kalimashit, shifrat faktike të shpenzuara deri tani, sasinë e dëmit të shtuar nga shembja, parashikimin fundor të kostos së rrugës dhe, padyshim, nisja e hetimeve për të, me një shprehje të qartë vullneti.

Dialog? Po. Por më parë të heqin dorë nga kushti i moshapjes së kutive, duke i dhënë fund gënjeshtrës që hapja e kutive bie në kundërshtim me vendimin e gjykatës", - tha Rama, para qytetarëve të Fierit që kishin dalë dje në shesh për të mbështetur protestën e opozitës.

Megjithatë, kreu socialist nuk ka preferuar t'i konsiderojë tri kërkesat e tij si kushte për dialog, por si një garanci që ky komunikim do të jetë demokratik dhe i sinqertë për të mirën e shqiptarëve dhe jo të një pale apo të një tjetre.

Për këtë qëllim, shefi i opozitës i ka përcjellë një mesazh të qartë kundërshtarëve të tij politike se në rast se kërkojnë vërtetë të gjejnë një zgjidhje politike të krijojnë ambientin e duhur për ta arritur atë.

Po vëmë kushte? Jo. Po themi vetëm që dialogu duhet të jetë demokratik, i barabartë, i vërtetë, i hapur për çdo zgjidhje të krizës së rëndë dhe në asnjë mënyrë mjet shpëtimi për një pushtet, që hedh lumin e vret kalin.

Jo, nëse duan dialog të krijojnë kushtet për dialog dhe ta harrojnë se mund të ekzistojë ndonjë dialog sa për të rikthyer opozitën në parlament e për të na rifilluar farsën e demokracisë pa liri e të drejta të barabarta për të gjithë, pa institucione të pavarura, pa garanci kushtetuese e ligjore për çdo qytetar të kësaj republike", - tha më tej kryesocialisti.

Në të kundër shefi i selisë rozë ka garantuar se opozita është e vendosur që ta gjejë zgjidhjen e saj nëpërmjet rrugës së protestave të cilat, sipas saj, do të bëjnë të mundur largimin e Berishës dhe çlirimin e popullit shqiptar nga kriza, që po vuan.

"Opozita do ta bëjë 2010-ën vitin e ndarjes së Shqipërisë me këtë pushtet. Ky pushtet që e ka kthyer parlamentin në skenën e shthurjes së turpshme të gjuhës, ku bëjnë paradë gojët e përdala të shërbëtorëve të Sali Berishës dhe ku Sali Berisha duartrokitet për sharjet me libër shtëpie të opozitës, ka filluar të shpërndajë së fundmi ftesa për dialog...

Na thonë çdo ditë mafiozë e perversë, na bëjnë terroristë e na lidhin me botën e krimit, na shkelin mbi varrin e familjarëve tanë e na hedhin baltë si torturues të fëmijëve tanë. Dhe ndërkohë, më e bukura, na ftojnë në parlamentin e kutive të mbyllura e na kërkojnë dialog për të mirën e vendit", - tha Rama.

Ndërkohë, gjatë fjalës së vet Rama ashtu si edhe folësit e tjerë në këto mitingje kanë prurë në vëmendje të pranishmëve që pavarësisht kohës së keqe, kishin dalë në mbështetje të këtyre protestave, tiparet më të dukshme të krizës ekonomiko-sociale që ka përfshirë qytetarin shqiptar, duke filluar që nga rritja e çmimit të energjisë elektrike, rritja e taksave për bizneset, zhvlerësimi i lekut, rritja e çmimeve, mospagesa e buxhetorëve si pasojë e mungesës së parave në buxhet e etj.

Të gjitha këto fenomene, sipas Partisë Socialiste e kanë zanafillën e vet tek pushteti i vjedhur i mazhorancës, e cila nuk pranon të bëjë transparencën e zgjedhjeve parlamentare.

Ndaj edhe një herë pjesëmarrësit në këto tubime kanë ripërsëritur thirrjen e tyre drejtuar kryeministrit, e kthyer tashmë në një moto të kësaj lëvizje: "Hap kutitë ose ik". Protesta e opozitës do të vazhdojë sot në qytetet e Lezhës dhe të Shkodrës.
A.Peci/K.Thanasi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›