Berat, Pollo premton energji të plotë
Zëvendëskryeministri Genc Pollo, në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon”, u ndal në komunën Kutalli të Beratit, nga ku deklaroi se qeveria mbajti premtimin për 24 orë drita. Pollo tha më tej se vepra të mëdha po ndërtohen, duke e kthyer vendin në një gjigand energjitik. Sipas tij, kjo është një dëshmi e vullnetit që qeveria “Berisha” tregoi në katër vitet e mandatit të saj të parë. “Ndryshimi nuk është ndalur me kaq, - ka thënë Pollo, - por është konkretizuar me ndërtimin e shumë veprave energjetike. Këto arritje, - është shprehur Pollo, - nuk i shikon opozita dhe kryetari i saj, Edi Rama”. Pollo u bëri thirrje banorëve të këtyre zonave të aplikojnë për marrjen e letërnjoftimeve të reja elektronike, në mënyrë që të kontribuojnë kështu në fitoren e zgjedhjeve të 28 qershorit
Mediu: Mazhoranca mbajti premtimet
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, zhvilloi takimin e radhës me banorët e Beratit, nga ku deklaroi se kjo mazhorancë mbajti premtimet. Sipas tij, u realizuan reformat e mëdha: në fushën ekonomike, arsimore, investime si dhe nuk harroi anëtarësimin në NATO. “Anëtarësimi i Shqipërisë me të drejta të plota në NATO është arritje e të gjithëve ne si shqiptarë dhe për këtë duhet të jemi krenarë. Zgjedhjet e ardhshme do të jenë domethënëse, pasi shqiptarët do t’i japin një mandat të dytë koalicionit të djathtë, për të vijuar të gjithë bashkë në fushën e reformave të tjera, për të arritur anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në jemi në kondita sot për të thënë me bindje se e djathta është shansi i të gjithë shqiptarëve për suksese të tilla. Ne e kemi vërtetuar më së miri këtë gjatë këtij mandati”, - tha Mediu. Gjatë këtij takimi u prezantua kandidati për deputet për qytetin e Beratit, Astrit Veliaj.