Brukseli: Presidenca e BE-së do të përcaktojë datën e aplikimit
Brukseli zyrtar konfirmoi dje se data e aplikimit të Shqipërisë si vend kandidat për të hyrë në BE do të vendoset nga presidenca çeke dhe autoritetet më të larta shqiptare. “Për sa i përket Komisionit, ne jemi sigurisht në kontakt të rregullt me autoritetet e vendeve potencialisht kandidate, siç është Shqipëria, dhe në këtë kontekst, çështja e një aplikimi të mundshëm është diskutuar disa herë gjatë muajve të kaluar, por siç e thashë më parë, i takon presidencës të bjerë dakord për një datë të veçantë”, - tha Kristina Nagy, zëdhënësja e komisionerit për zgjerim, Olli Rehn. Zëdhënësja Nagy nënvizoi se qëndrimi i këtij institucioni nuk ka ndryshuar, duke përfshirë edhe kërkesën për plotësimin me sukses të reformave kyçe. “Zgjedhjet parlamentare shqiptare të fundit të qershorit do të jenë një test madhor për demokracinë shqiptare. Kjo është ajo që kemi thënë vazhdimisht dhe ky mbetet qëndrimi i qartë i Komisionit. Unë mund të shtoj se paraqitja e aplikimit për kandidaturën është sigurisht një hap shumë i rëndësishëm, por është gjithashtu e rëndësishme që një hap i tillë të ndiqet nga një vendim i Këshillit për t’i kërkuar Komisionit të përgatisë një raport opinioni për meritat e këtij aplikimi”, - shtoi Nagy.