E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS i rikthehet destruktivitetit



Ashtu siç pritej, skema e zgjedhjeve të vitit 2007 po ripërsëritet pak më herët për zgjedhjet e vitit 2009. Partia Socialiste i është rikthyer skemës së destruktivitetit, duke braktisur sallën e Kuvendit, me arsyen se procesi i pajisjes me kartat e identitetit nuk po ecën. Ky veprim i saj ka bërë të mundur që të mos zhvillohet një seancë normale pune, ndërkohë që përfaqësues të mazhorancës e kanë kritikuar këtë veprim. Ata kanë kërkuar karta falas, duke bërë presion se nuk vijnë në Parlament derisa të gjendet një zgjidhje për këtë proces. Këtë qëndrim e bëri të ditur dje në fillimin e seancës kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, e cila e cilësoi veprimin si pjesë të qëndrimit konstant dhe koherent të kësaj partie në mbështetje të kërkesës, për të pajisur me kartë identiteti falas të gjithë qytetarët pa pasaportë. “Deri tani qeveria ka nxjerrë tre vendime, asnjëri nga të tre nuk e ka zgjidhur problemin, por vetëm pranon gabimin e deritanishëm të qeverisë. Për sa kohë që dhe një shqiptar nuk e paguan dot këtë taksë të turpshme të varfërisë, ne do të rezistojmë paqësisht që e drejta e votës të mos cenohet. Kërkojmë të hiqet taksa e votës. Të hiqen barrierat për të ushtruar të drejtën e votës”, - tha ajo. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka shprehur shqetësim për këtë vendim, duke thënë se “ndërkohë që sot kemi një moment të rëndësishëm, kur do të dëgjojmë raportin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe Parlamenti do të flasë për krizën ekonomike, opozita, që paraqitet “e merakosur”, largohet nga salla”. Ajo nuk i ka qëndruar dot tundimit pa bërë një koment lidhur me atë çfarë predikon kjo opozitë dhe atë çfarë vepron realisht. "Kjo është politika e re, kjo është politika e ikjes", - tha Topalli. Gjithashtu ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili përgjigjet dhe për ecurinë e procesit të pajisjes me karta që varet nga dikasteri i tij, tha se procesi po ecte normalisht brenda të gjitha parashikimeve dhe i cilësoi veprimet e opozitës si “spekulime dhe lojë politike”. “Pretendimet për një rrezik të sajuar nga ana e opozitës është tërësisht spekulim politik. Ky proces po ecën brenda parashikimeve. Të gjitha komunat e vendit dhe bashkitë e vendit kanë në dispozicion materialet”, - tha Nishani, duke dhënë shifra konkrete se në çfarë faze është procesi i aplikimit dhe pajisjes me karta identiteti.

"Para dy ditësh kanë aplikuar më shumë se 512 mijë shqiptarë, pavarësisht përpjekjeve të opozitës për të dekurajuar këtë proces. Mbi 400 mijë letërnjoftime janë prodhuar dhe janë shpërndarë në Zyrat e Gjendjes Civile, në pritje për t’u tërhequr nga qytetarët. Në bazë të parashikimeve deri në fund të muajit maj është e mundur pajisja e 1.5 milion qytetarëve me karta identiteti". Lidhur me procesin e pajisjes me karta identiteti të qytetarëve pa pasaportë sipas ministrit të Brendshëm gjithçka po ecën normalisht dhe se në qytetet kryesore procesi i aplikimit mund të jetë drejt përfundimit në fund të këtij muaji.

“Vetëm në Bashkinë e Tiranës, ku është dhe numri më i madh i qytetarëve që nuk kanë pasaportë, nga 80 mijë qytetarë të identifikuar si të papajisur me pasaportë, 60 mijë kanë aplikuar”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›