Bojkoti në Kuvend, PD: Rama po tërheq PS-në nga debatet
Pas bojkotimit që PS-ja i bëri Parlamentarit, reagoi Partia Demokratike, duke e cilësuar këtë veprim si të paprecedent në historinë politike. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, deklaroi se Rama po largon partinë e tij nga debatet. “Edi Rama me dëshpërim të thellë duket se po konsideron të tërheqë partinë e tij nga debatet publike me Partinë Demokratike. Kjo, sepse ai vlerëson se dështimet e njëpasnjëshme në debate të përfaqësuesve të politikës së re e të vjetër po i shkaktojnë rënie të mëdha Partisë Socialiste”, - tha Mëhilli. Ajo shtoi më tej se Rama ka dështuar me debatet publike, ndaj dhe zgjodhi rrugën e bojkotit të tyre. “Kështu, pasi tërhoqi nga debatet ekipin e të rinjve të përbërë nga aleatët e tij të 99-s, serviri me dështim ekipin e dikurshëm Ruçi – Cani, tani duket se ka vendosur të gjejë pretekste të tërhiqet përfundimisht nga debatet. Partia Demokratike deklaron se ky është një vendim i paprecedent në historinë 19-vjeçare të pluralizmit politik. Debati me kundërshtarët është një detyrim moral që politikanët kanë përpara shoqërisë, ndaj edhe PD-ja e konsideron këtë akt si një akt burracaku të dëshpëruar”, - deklaroi Mëhilli.