Ekonomia shqiptare, me rritjen më të lartë, 8% gjatë 2008-s
Viti 2008 ka qenë më i suksesshmi në 10 vitet e fundit në vendin tonë. Instituti i Statistikave publikoi dje të dhënat e vitit të kaluar, nga ku rezultoi se ekonomia shqiptare është rritur në masën 8 për qind. Kjo rritje është më e larta në Evropë, por njëkohësisht, më e larta në Shqipëri për 10 vitet e fundit. Ekonomia shqiptare kishte njohur një rritje ekonomike prej 5 deri në 6 për qind në vit në dekadën e fundit, por nuk mund të thuhet kështu për vitin 2008. Viti i kaluar mund të konsiderohet si më i suksesshmi. “Rritja vjetore 2008, bazuar në të dhënat tremujore është 8.0 për qind krahasuar me vitin 2007. Ky tregues përbën shifrën preliminare për llogaritjen e PBB-së vjetore, shifër kjo dinamike në vetvete, e cila u nënshtrohet politikave të revizionimit”, - deklaroi Gjergji Mano, drejtor i Drejtorisë së Llogaritjeve Kombëtare në INSTAT. Viti i kaluar njohu rritje të lartë për shkak të disa arsyeje. Vetëm në një tremujor, u shënua një rritje ekonomike prej 9.9 për qind, duke shënuar një rritje dyshifrore, që në vendin tonë nuk ishte parë që nga viti 1995. Edhe tremujori i fundit i vitit 2008 ka një rritje të konsiderueshme. “Rritja ekonomike e tremujorit të katërt 2008 krahasuar me të njëjtin tremujor për vitin 2007 është me 8.6 për qind, ku përsëri efektin më të madh e kanë degët e post-telekomunikacionit 39.1 për qind, shërbimet 14.0 për qind dhe ndërtimi me 9.3 për qind. Shifra e tremujorit të katërt 2008 shënon një rritje prej 2.5% krahasuar me tremujorin paraardhës, çka reflekton rritje në degët kryesore të ekonomisë. Me daljen e këtij treguesi kemi edhe shifrën preliminare të PBB-së vjetore, që për herë të parë përllogaritet në muajin e tretë”, - deklaroi Mano, i cili përmendi edhe sektorët të cilët kishin njohur një rritje të lartë. Ai tha më tej se vetëm industria ka shënuar një ulje të lehtë, ndërsa shumë sektorë të tjerë kanë shënuar një rritje gjatë vitit të kaluar. “Kështu, krahasuar me një tremujor më parë, industria ka pësuar 2.2 për qind rënie, por rritje të konsiderueshme janë shënuar në degën e post-telekomunikacionit me 9.5 për qind, shërbimet (ndaj popullatës dhe ndërmarrjeve) me 4.5 për qind dhe ndërtimi me 3.3 për qind. Ndërkohë që, krahasuar me tremujorin paraardhës, rritje është shënuar edhe në degët e tjera të ekonomisë, si bujqësia, gjuetia dhe pyjet me 1.7 për qind, tregtia me 1.2 për qind dhe transporti 1.7 për qind”, - tha më tej drejtori. Në deklaratën për shtyp, ai garantoi se INSTAT-i po përdor metoda të reja të përllogaritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto. “Pas publikimit të PBB-së tremujore, risia qëndron në afrimin në kohë të shifrës preliminare me 9 muaj (nga dhjetori në përfundim të tremujorit të parë) mënyrë, me burim të dhënash tremujore, që rrjedh nga metoda e re e përllogaritjes së PBB-së e lançuar në dhjetor të vitit të kaluar, e cila do të përdoret edhe vitet në vijim”.
Fullani: Stabiliteti ekonomik, kapital për Shqipërinë
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, prezantoi dje raportin vjetor të Bankës së Shqipërisë në Kuvend. Në fjalën e mbajtur përpara deputetëve, Fullani tha se stabiliteti makroekonomik i vendit është një kapital me rëndësi për Shqipërinë. “Ky stabilitet i shprehur në inflacion të ulët të çmimeve të konsumit, qëndrueshmërinë e bilancit të pagesave dhe të borxhit publik, balancë të shëndosha të agjentëve ekonomikë, luhatje të ulëta të tregut financiar dhe besim të publikut në një zonë financiare është një kapital i madh i ekonomisë shqiptare”, - tha Fullani. Guvernatori, duke folur për pritshmëritë ekonomike gjatë këtij viti, tha: “Këto zhvillime të ekonomisë globale sugjerojnë se ekonomia shqiptare duhet të përballet me një reduktim të nivelit të remitancave dhe të hyrjeve në përgjithësi të kapitalit gjatë vitit 2009”. Sipas tij, gjatë këtij viti, mund të ketë likuiditet të vogël. “Në optikën e BSH-së, problemi kryesor me të cilin do të përballet ekonomia shqiptare në vitin në vijim, është mungesa e likuiditetit dhe e lidhur me të, shtrëngimi i kushteve të financimit të aktivitetit ekonomik”, - tha Fullani.