E Diel, 1 Nëntor 2026

PS paralajmëron një bojkot të mundshëm të zgjedhjeve



Partia Socialiste e ka nisur herët paralajmërimin për një bojkot të mundshëm të zgjedhjeve. Në mënyrë indirekte, por të nënkuptuar qartë, këtë paralajmërim e bëri dje sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami, i cili tha se nuk do të ketë zgjedhje nëse dhe një shqiptar nuk do të arrijë të paguajë “taksën e votës”, që nënkupton kartën e identitetit. Me këtë logjikë, kjo parti bën thirrje që qeveria t’i japë kartat falas si zgjidhje për procesin. “Nuk mund të ketë zgjedhje po qe se edhe një shqiptar nuk arrin të votojë për shkak të taksës së votës. PSSH u bën thirrje njerëzve të përgatiten shpirtërisht për të shpëtuar demokracinë në rrezik me rezistencë paqësore”, - tha Islami vetëm pak kohë pasi PS kishte braktisur rolin e saj ligjor në Kuvendin e Shqipërisë, po me këtë arsye. Ndërkaq Islami ka bërë një gjysmë thirrje për qytetarët që të aplikojnë për kartë, nëse sipas tij, arrijnë ta përballojnë çmimin. “Askush të mos vonojë të aplikojë nëse e përballon taksën e votës”, - tha ai, ndërkohë që çmimi i një karte identiteti është 12 mijë lekë të vjetra, e për kategoritë në nevojë vetëm gjysmë çmimi, pra 6 mijë lekë të vjetra. Duke nënkuptuar bojkotimin e zgjedhjeve, e njëjta taktikë që u ndoq në zgjedhjet lokale, Islami tha se “gjithkush që nuk e paguan dot këtë taksë të turpshme për shkak të varfërisë, duhet të dijë se PSSH do të rezistojë me të gjitha mjetet demokratike për të garantuar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve”. Sipas tij, “nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme dhe në përputhje me standardet demokratike pa zgjidhje të kësaj nyje që po mbyt zgjedhjet”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›