Berat, arrestohet fallxhorja nga Elbasani
BERAT - Vinte shpesh në Berat e Kuçovë për të ushtruar zanatin e saj të fallxhores, por dita e djeshme ka qenë e pafat për të, pasi ka rënë në prangat e policisë.
Viktimë e zanatit të saj këtë herë ka qenë L.Gj, 50 vjeçe, banore në lagjen "11 Janari" në qytetin e Kuçovës, e cila ka rënë pre e një mashtrimi për shkak të bestytnisë së saj, duke ia besuar fatin fallxhores - mashtruese nga Elbasani.
38-vjeçarja V.Misha, pasi i ka hedhur fall kuçovares, i ka marrë me anë të mashtrimit 1 420 lekë dhe më pas është larguar për në banesën e saj në qytetin e Elbasanit.
Vetëm pak minuta pas nisjes së autobusit të linjës Kuçovë - Elbasan, me të cilin udhëtonte mashtruesja, qytetarja nga Kuçova ka bërë denoncimin në komisariat.
Pas kallëzimit, policia është vënë në ndjekje dhe ka kapur në flagrancë shtetasen në fjalë, duke e shoqëruar për në dhomat e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Beratit. Asaj i është gjetur shuma e parave të denoncuara nga "viktima" dhe në adresë të saj është ngritur akuza e "vjedhjes me anë të mashtrimit".