E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama: Bravo për çështjen "Trebicka"

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka qenë dje në Korçë ku është njohur me treguesit e punës së Prokurorisë së Rrethit dhe të Apelit. Në këtë analizë është raportuar për ngarkesën e punës gjatë vitit 2008 në hetimin e çështjeve të shumta që i janë drejtuar organit të akuzës. Gjithashtu, janë analizuar të dhënat statistikore nga ku ka rezultuar se ka pasur një rritje të procedimeve penale. Burime nga brenda takimit kanë thënë se kryeprokurorja Rama ka vlerësuar punën që është bërë për zbardhjen e një prej ngjarjeve të vitit, atë të hetimit të çështjes "Trebicka". Por nga ana tjetër, të paktën 193 çështje dhe procedime janë ende nën hetim nga ana e Prokurorisë së rrethit të Korçës, të cilat do t‘i kalohen gjykatës pas konkludimit të procesit hetimor për këto dosje në vitin në vijim. Kryeprokurorja Ina Rama ka kërkuar zbardhjen e këtyre dosjeve dhe kryesisht ato që kanë të bëjnë me krimet kundër personit dhe të trafiqeve të paligjshme. Pasi është njohur me treguesit, Ina Rama bëri një analizë për problemet specifike të këtij institucioni që lidhen me hetimet e papërfunduara për veprat penale. Nën hetim nga ana e prokurorisë mësohet se janë edhe linjat e klandestinëve afganë që janë shfaqur si fenomen gjatë vitit 2008. Ndërsa procedimet më të shumta kanë qenë ato për krime kundër personit, trafiqet e narkotikëve me 13 raste procedimesh penale, trafiku i klandestinëve etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›