E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, mbeten të bllokuar 2000 banorë

MOTI/ Aksi rrugor Kir-Dukagjin u bllokua paraditen e së dielës për shkak të rrëshqitjes së një masivi dheu

SHKODËR - Rrëshqitja enjë masivi dheu ka sjellë bllokimin e aksit rrugor Kir – Dukagjin në rrethin e Shkodrës. Reshjet e shumta të rëna në këtë rajon ditët e fundit kanë sjellë rrëshqitje dheu dhe gurësh. Masivi i dheut i shkëputur nga mali ka sjellë bllokimin e rrugës së ngushtë dhe mjaft të amortizuar, e cila lidh Shkodrën me tre komuna të Dukagjinit: Pult, Shalë dhe Shosh. Si pasojë, qarkullimi i mjeteve në këtë aks është i pamundur, ndërsa është lajmëruar shtabi i emergjencave në prefekturën e qarkut të Shkodrës. Ndërmarrja e rrugëve rurale ka shkuar me mjetet e saj dhe po punon për zhbllokimin e rrugës, ndërsa reshjet e shiut vazhdojnë. Ndërsa rruga tjetër e mundshme për të shkuar në komunat malore të Dukagjinit, ajo e aksit Shkodër – Koplik – Bogë – Theth – Breg Lumi është e bllokuar prej ditësh për shkak të dëborës në Qafë-Thore, e cila qëndron disa muaj, i vetmi aks nëpër të cilin qarkullojnë banorët e fshtrave të këtyre komunave është ai Mes – Prekal – Kir – Breg Lumi, i cili është i pakalueshëm nga rënia e masivit të dheut. Ky aks është cilësuar si mjaft problematik, pasi është shumë i amortizuar dhe numërohen me dhjetëra të aksidentuar, të cilët kanë humbur jetën në këto vitet e fundit. Më i fundit aksident tragjik në aksin rrugor të bllokuar gjatë së dielës, është ai i 12 marsit 2007, ku një furgon me pasagjerë ra në ujin e lumit Kir dhe shkaktoi 10 viktima. Sensibilizimi i pushtetit vendor e veçanërisht i drejtuesve të këshillit të qarkut Shkodër për ndërhyrje urgjente në rehabilitimin e këtij aksi ka qenë i vazhdueshëm, duke e trajtuar si përparësi ndërhyrjen në këtë aks, por pa mundur të sigurojë financimin e duhur. Kjo dhe për faktin se investimet janë përqendruar kryesisht në zonat e populluara, ndërsa nga fshatrat e kësaj zone ka mjaft banorë që kanë lëvizur duke u zhvendosur në zonat më afër Shkodrës. Gjatë këtij viti nga ndërmarrja e rrugëve rurale janë bërë disa ndërhyrje në këtë aks, por ato kanë qenë të pakta e të shkëputura, pasi mungesa e fondeve përkatëse e ka bërë të pamundur rehabilitimin e plotë. Bllokimi i aksit Kir- Dukagjin ka ndodhur pak metra larg vendit ku ndodhi aksidentit i 12 marsit 2007, tek vendi i quajtur Karma e Kirit. Aktualisht rreth 2000 banorë të kësaj zone janë të bllokuar dhe nuk mund të lëvizin me automjete deri në lirimin e rrugës nga masivi i dheut e gurëve të rënë nga mali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›