Tenton të qëllojë me armë xhaxhain në shtëpi
Dyshimet për tradhti bashkëshortore për pak janë bërë shkak i një krimi brenda familjes në rrethin e Fierit. Një 35-vjeçar nga fshati Peshtan, i Komunës Frakull, ka shkuar i armatosur në banesën e xhaxhait të tij në gjendje të dehur dhe i ka kërkuar llogari të ungjit për fjalët që ai kishte përhapur në fshat për një lidhje të mundshme intime mes tij dhe gruas së xhaxhait. Burime nga policia e Fierit bëjnë të ditur se T. H., 35 vjeç, ka shkuar pak pas mesnatës të së mërkurës në shtëpinë e 56-vjeçarit K. H., xhaxhait të tij, dhe ka nisur të debatojë me të. Në momentin e ngjarjes, në banesën e 56-vjeçarit ndodhej bashkëshortja e tij, 41-vjeçarja S.H. dhe njëri prej fëmijëve të tij. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se 35-vjeçari ka qenë i armatosur dhe ka nisur të debatojë me fjalë për faktin se xhaxhai i tij kishte nisur të fliste nëpër fshat dhe në fis, se nipi i mund të kishte lidhje jashtëmartesore me gruan e tij, 41-vjeçaren S.H. Hamendësimet e ngritura nga 56-vjeçari kishin krijuar jo pak probleme për familjen e re të 35-vjeçarit. Mësohet se pak ditë më parë, 56-vjeçari kishte shkuar në shtëpinë e të vëllait, dhe në sy të të gjithë pjesëtarëve të familjes, kishte hedhur dyshime për marrëdhënie intime mes 35-vjeçarit dhe gruas së tij. Presioni i krijuar në familje, e kanë çuar 35-vjeçarin të shkojë në shtëpinë e të ungjit dhe t’i kërkojë llogari për akuzat që kishte ngritur mbi të. Në një moment gjaknxehtësie, ai ka nxjerrë armën dhe ka tentuar të qëllojë mbi xhaxhain, por ndërhyrja e familjarëve të tjerë ka bërë që të shmanget tragjedia. Arma është shkrehur në ajër dhe fatmirësisht nuk ka pasur asnjë të lënduar. Më pas, 35-vjeçari është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. 56-vjeçari ka njoftuar policinë për ngjarjen dhe menjëherë drejt vendit të sinjalizuar është nisur një grup i gatshëm dhe është bërë rrethimi i zonës. Uniformat blu kanë bërë ekspertizën e vendit të ngjarjes dhe mbledhur dëshmitë. Nga marrja në pyetje e dëshmitarëve okularë ka rezultuar se historia ka nisur pas xhelozisë së 56-vjeçarit dhe dyshimet e tij për një lidhje jashtëmartesore mes të nipit dhe bashkëshortes së tij. Ndërkohë, policia ka nisur krehjen e zonës dhe po punon për kapjen e autorit të ngjarjes. Por deri në orët e vona të së enjtes, me gjithë postblloqet e ngritura dhe kërkimet në të afërmit, nuk është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i 35-vjeçarit. Ndërkohë, grupi hetimor i ngritur për këtë çështje po punon për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
#