Berat, bojkot prodhimeve të panairit, rritën çmimet
BERAT – Rritja e çmimeve sjell bojkotimin e panairit të agrobiznesit në Berat. Plot 100 subjekte të prodhimeve të ndryshme kanë reklamuar prodhimet e tyre në këtë panair, por qytetarët nuk kanë blerë atje, pasi sipas tyre çmimet janë më shtrenjtë se në tregun e qytetit. Fermerët në këtë panair nuk patën si qëllim vetëm reklamimin e prodhimeve të tyre, por dhe shitjen e produkteve të ndryshme, që nga pijet, nënproduktet e qumështit, prodhime brumi, etj. Rreth orës 10:00, panairi u çel nën tingujt e bandës frymore të qytetit të Beratit. Pas hapjes së tij, të gjithë fermerët të ardhur nga Berati, Skrapari e Kuçova kanë reklamuar prodhimet e tyre. Kriza ekonomike dhe qëllimi për të përfituar sa më shumë nga dita e panairit kanë bërë që tregtarët e prodhuesit të ofrojnë çmime më të larta se ato të tregut të qytetit. Shumë qytetarë, duke u përballur me rritjen e çmimeve janë larguar nga panairi, duke e bojkotuar atë që prej momentit të hapjes së tij. “Panairi është një reklamë për të pasqyruar prodhimet dhe jo për të përfituar fermerët”, janë shprehur qytetarët, të cilët u kthyen bosh, pasi nuk kanë mundur që të bëjnë shpenzime më tepër se ato që kishin planifikuar. Sipas Estref Malasit, një nga qytetarët e Beratit, prodhimet nuk bliheshin dot për shkak të çmimeve më të shtrenjta se në dyqanet apo tregun e qytetit. d.xh