Vetëvarja e gruas, i shoqi në gjykatë
Me një precedent jo të zakonshëm për drejtësinë shqiptare, Prokuroria e Tiranës dërgoi në gjykatë me akuzën “shkaktim vetëvrasje”, Besnik Hasën, bashkëshortin e gruas 27-vjeçare të vetëvarur më 6 janar 2009. Dosja me nr.1180 në ngarkim të Besnik Hasës, është dorëzuar në Dhomën Penale më 23 prill 2009 ndërsa shqyrtimi gjyqësor pritet të zhvillohet në drejtimin e gjyqtarit Petrit Çomo. Prokuroria e kryeqytetit i përfundoi hetimet brenda tre muajve duke zbardhur rrethanat e shkaqet e vetëvarjes së Elisabeta Hasës. Gruaja 27-vjeçare humbi jetën më 6 janar të këtij viti pasi u vetëvar me shall në dritaren e shtëpisë ku banonte me të shoqin Besnik Hasa. Ky i fundit u arrestua nga policia dy ditë pas ngjarjes, me akuzën “shkaktim vetëvrasje”. Më vonë Gjykata e Tiranës vendosi mbajtjen e 44-vjeçarit Hasa në gjendje arresti deri në përfundim të hetimeve të Prokurorisë. Për tre muaj, i pandehuri ka pritur në qeli përfundimin e hetimeve mbi vdekjen e të shoqes. Ai tashmë pritet të ulet në bankën e akuzës i pandehur si shkaktari i vetëvrasjes së 27-vjeçares Elisabeta Hasa. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës. Sipas tyre, 44-vjeçari me banim në Bathore nuk ka mohuar mosmarrëveshjet që ka pasur me të shoqen para se ajo të vetëvarej në dritaren e shtëpisë. Megjithatë gjatë fazës së hetimit, mësohet se Besnik Hasa nuk ka pranuar shkaktimin e vetëvrasjes tek e shoqja. “Jam i pafajshëm, ajo është vetëvarur me veprimet e saj unë nuk kam kryer asnjë veprim në këtë ngjarje”, mësohet të ketë thënë para gjykatës Besnik Hasa. Megjithatë sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike mbi të shoqen. Organi i akuzës pretendon “se marrëdhëniet mes gruas dhe të akuzuarit ishin përkeqësuar, ndërsa Besnik Hasa shpeshherë shfaqte shenja xhelozie ndaj të shoqes duke ushtruar dhunë fizike ndaj saj”. Gruaja e të akuzuarit mësohet se ishte larguar nga banesa në tetor 2008 bashkë me fëmijët si pasojë e dhunës dhe keqtrajtimeve. Më vonë ajo ishte rikthyer në shtëpi ndërsa ditën kur ndodhi ngjarja, më 6 janar 2009, i shoqi ishte kthyer nga Borizana e Krujës, ku punonte në ndërtim. “Fëmijët kanë fjetur ndërsa pas mesnate i pandehuri Besnik është zgjuar dhe i ka dhënë mjetin lidhës të shoqes, duke i kërkuar të vetëvarej”, tha Prokuroria. Sipas saj i akuzuari ka parë gruan e tij që po shkonte drejt vdekjes dhe nuk ka bërë asnjë veprim për shpëtimin e saj. tr.so
Dënimi nga gjobë deri 5 vjet burg
Kodi Penal parashikon dënim të ashpër për personat që provohet se direkt apo indirekt kanë shkaktuar vetëvrasjen e dikujt. Neni 99, me titull “shkaktimi i vetëvrasjes”, thekson se: Shkaktimi i vetëvrasjes ose i tentativës së vetëvrasjes të një personi, si rrjedhojë e trajtimit të keq sistematik ose nga sjellje të tjera sistematike që prekin rëndë dinjitetin, të kryera nga personi që e ka në vartësi materiale apo çfarëdolloj vartësie tjetër, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.