Qëlluan autobusin, akuzë për vrasje
DURRES/ OERD ULQINI
Katër ditë pas ngjarjes Prokuroria formulon akuzën e rëndë “vrasje në rrethana të cilësuara” për dy romët e arrestuar të çështjes “Nish-Tulla”. Nazim Kalemi dhe fqinji i tij në hasmëri Kujtim Meta do të përballen me nenin 79 të kodit penal, akuzë e cila u kundërshtua ashpër nga avokatët. Gjykata e Faktit në Durrës vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj dy të arrestuarve. Vendimi u mor nga gjyqtarja Enkeleda Softa, e cila rrëzoi pretendimet e mbrojtjes, të cilët kërkonin gjykim për veprën penale “armëmbajtje pa leje”. Masat e sigurisë në adresë Metës dhe Kalemit janë bërë të veçuara nga njëra-tjetra. Fillimisht janë dëgjuar pretendimet e avokatit të Kujtim Metës, i cili tha se “plumbat mbi autobus, dolën nga kallashi i Kalemit”. Por një deklaratë e tillë ende nuk ka marrë konfirmim nga policia shkencore. “Klienti im ka pësuar agresion. Atij madje iu plagos edhe i vëllai Dilaver nga plumbat, ndaj reagimi i tij ishte në rrethana mbrojtje. Ai duhet gjykuar vetëm për armëmbajtje pa leje, ndonëse arrestin e gjykoj të ligjshëm, pasi është kryer në kushtet e flagrancës”, u shpreh mbrojtësi i të pandehurit Kujtim Meta. Vetëm 30 minuta pasi Metës iu komunikua akuza “vrasje në rrethana të cilësuara”, ka hyrë në sallë i arrestuari i dytë Nazim Kalemi. Edhe avokatja e tij Ana Tole e cilësoi klientin Kalemi si viktimë të rrethanave, pra sipas saj Nazimi përpoq të mbronte familjen pas plagosjes në kokë që iu bë Suela Kalemit nga pjesëtarët e familjes Meta. Gruaja 33-vjeçare u godit me mjete të forta, duke pësuar hemorragji të fortë në kokë. Avokatja Tole e cilësoi si krejt të pabazuar akuzën e formuluar ndaj Nazim Kalemit për “vrasje në rrethana të cilësuara”. Por prokurorja e çështjes Arabihane Halili i kërkoi gjykatës të vendosë qëndrimin në burg, duke u nisur nga rrezikshmëria e lartë shoqërore e dy të pandehurve. Gjykata nuk ka akoma në dispozicion të saj të riun Kalemi, i cili gjendet në arrati. Dyshohet se është pikërisht 25 vjeçari, personi që shkrehu këmbëzën e kallashit mbi fqinjët Meta, duke ia marrë nga duart armën babait të tij, Nazimit. Në këtë mënyrë do të mbeten në burg dy prej përgjegjësve të dyshuar për masakrën në autobusin e pasagjerëve, teksa është akoma në kërkim djali 25 vjeçar i Nazimit, R. Kalemi. Pak ditë më parë një sherr ordiner i nisur mes dy familjeve me origjinë rome gjakosi autobusin e linjës Durrës-Sektori Rinia duke terrorizuar pasagjerët. Shtetasi Bashkim Zhupi është në gjendje kritike pasi, nuk ka dalë ende nga gjendja e komës së thellë.