Në Ballsh e në Lushnjë ka sherr dhe polemika
Fatjon Kodra
Janë luajtur dje ndeshjet e javës së 29-të të Kategorisë Superiore, kur kanë spikatur polemikat në dy takimet e luajtura në Ballsh dhe Lushnje. Lushnja e përkrahur nga më shumë se tetë mijë tifozë të pranishëm falas në “Roza Haxhiu” (rekord sezonal), falë golit të Erjon Xhafës (36’) e pati fitoren në duar për 87 minuta lojë, por eurogoli i kroatit Mate Brajkoviçit (nuk shënonte nga java e 12-të), solli jo vetëm barazimin e Flamurtarit (1-1), por provokoi edhe një sherr të madh midis dy tifozerive kundërshtare, aq sa u desh edhe ndërhyrja e ashpër e policisë lokale për të rivendosur kontrollin në shkallët e stadiumit. Takimi i gjykuar nga Elvis Peza (shumë i kontestuar nga dy kampet) pati faza tensioni, që solli edhe largimin me karton të kuq në të 62’, si të sulmuesit të Lushnjës, Dorian Bubeqi ashtu dhe të mbrojtësit të Flamurtarit, Franc Veliut, pas një sherri midis dy ekipeve, çka solli edhe ndërprerjen e lojës për më shumë se pesë minuta. Bylisi fitoi me Partizanin 1-0, falë golit të Roland Nenajt në minutën e 10-të, por të kuqve iu mohua një gol, i konsideruar i rregullt nga stafi i kuq, por jo i tillë nga anësori Maloku, çka solli edhe tension në fushë. Ndeshja është ndërprerë në minutat e fundit, pasi fusha është pushtuar nga stafet e dy ekipeve dhe njerëz të tjerë. Një tifoz çau rrethimin, duke vrapuar deri në mesin e fushës për të goditur me grusht gjyqtarin Kridens Meta. Bylisi, që më parë kishte kontestuar fort caktimin me short të gjyqtarit Kridens Meta, tani ndodhet në kuotën e 28 pikëve, duke e komplikuar më shumë situatën e gjashtë vendeve të fundit, që ndahen nga njëra-tjetra me vetëm 4 pikë, kur kanë mbetur edhe 4 ndeshje për t’u luajtur.
Ndeshjet e tjera
Migen Memelli e festoi në mënyrë madhështore 29-vjetorin e tij, duke i “dhuruar vetes” dy gola në fitoren cinike 4-1 të Tiranës kundër Teutës në “Qemal Stafa”, në takimin e vlefshëm për javën e 29-të të Kategorisë Superiore. Me revanshin e tri pikët e marra ndaj formacionit durrsak, Tirana mbeti sërish +1 pikë nga Vllaznia fiksoi edhe fitoren me përmbysje 3-2 ndaj Besës. Apolonia falë golave me “origjinë” serbe, dy të realizuar nga vëllezrit Sead Haxhibuliç (27’) dhe Semir Haxhibuliç (56’) e i treti nga golaeadori më i mirë i saj, Bojan Kërkiç (77’), arriti një fitore me vlerë kundër Elbasanit (3-1). Për formacionin e Shehut golin e vetëm e shënoi Xhafa në minutën e 51-të. Me trajnerin Shkëlqim Muça në tribunë dhe me një Sebino Plaku, në një ditë të jashtëzakonshme, Dinamo fitoi 3-0 ndaj Shkumbinit, që luajti me dhjetë lojtarë nga minuta e 19-të (Bizhyti me të kuqe).