Porto-Romano, vjen ngarkesa e parë e gazit
DURRES - Kjo fundjavë ka shënuar shkarkimin e cisternës së parë në pontilin e Porto-Romanos. Ka qenë anija e shoqërisë “Sea gaz” ajo e cila ka shkarkuar në portin më të ri të Shqipërisë sasinë prej 6500 tonësh gaz metan. Ankorimi i cisternës është kryer nën masa të rrepta sigurie dhe në orën 15:15 anija ka hedhur spirancën, duke hyrë në historinë e këtij pontili si shkarkimi i parë që kryhet aty. Manovra e ankorimit është bërë në kushtet e valëzimeve të forta në det, kur forca arrinte deri në tre ballë. Mësohet se në këtë pontil ka qenë i pranishëm edhe një grup i Doganës Durrës, për të kryer procedurat e domosdoshme. Ky shkarkim i hap rrugën çështjes mjaft të debatuar së fundmi që ka të bëjë me sigurinë e portit më të madh në Shqipëri, Durrësit, pasi pritet që muajt e ardhshëm çisternat e ndodhura në qytet të zhvendosen në Porto-Romano. Miliona metra kub karburant që depozitohen akoma në portin e Durrësit, shumë afër qendrës së banuar shihen nga komuniteti si një rrezik i vazhdueshëm. Sipas burimeve brenda dy vjetëve të ardhshëm e gjitha sasia e karburantit që depozitohet në Durrës do të zhvendoset në një rreze sigurie 12 kilometra larg qytetit. o.u