E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruka: Administrata e Gjirokastrës, nën presion nga demokratët

Kandidati për deputet i Partisë Socialiste, në Qarkun e Gjirokastrës, Ethem Ruka, denoncon presionin e ushtruar ndaj të punësuarve në sektorin dhe administratën publike nga ana e qeveritarëve lokalë. Sipas tij, e gjithë struktura administrative drejtuese në rrethin e Tepelenës, po vënë nën presion çdo ditë punonjësit e rangjeve nga ai i mesëm e deri tek më i ulëti, që të votojnë për PD-në, duke përdorur kështu metoda çnjerëzore të mbijetesës për bukën e gojës. Me dhjetëra punonjës nga Ndërmarrja e Rrugëve, Bashkia e Tepelenës, Bashkia e Memaliajt si dhe në të gjitha njësitë vendore, ku drejtohen nga përfaqësues të PD-së, në rrethin e Tepelenës, janë kërcënuar me bukën e gojës për të mbështetur me votë PD-në, në zgjedhjet e 28 qershorit, ka theksuar Ruka. Këtë veprim, që sipas tij po ndërmerr partia në pushtet me shërbëtorët që ka në krye të ndërmarrjeve shtetërore, ai e cilëson antinjerëzor. Në këtë drejtim ai ka përmendur kërcënim me përjashtim nga vendet e punës, që arrin deri edhe tek punonjësit që kanë rroga sa për të mbajtur frymën gjallë. Thirrja e krerëve të komunave dhe bashkive në rrethin e Tepelenës për të mos shkuar në takimet elektorale që organizon PS dhe kandidati i saj për deputet të njerëzve të thjeshtë, përveç të punësuarve në administratën shtetërore, ka sjellë gjendje pasigurie dhe ankth tek i gjithë elektorati i kësaj zone, theksoi Ruka. Pavarësisht këtyre presioneve të ushtruara nga ana e PD-së, sipas tij kjo nuk i ka stepur njerëzit e thjeshtë të popullojnë tubimet elektorale të kandidatit socialist për deputet Ethem Ruka.Nisur nga këto veprime, kandidati për deputet i PS, Ethem Ruka, u bën thirrje drejtuesve të administratës shtetërore dhe krerëve të njësive vendore që drejtohen nga të djathtët, të ndalin këtë frymë presioni ndaj njerëzve që kanë si të vetmen alternativë jetese, rrogën minimale të tyre. Ndërkohë që ai nënvizon faktin se hapat represive të administratës së paaftë dhe të lodhur nga qeverisja e korruptuar mbi punonjësit e thjeshtë, do të ndalen në 28 qershor me ardhjen në pushtet të qeverisë socialiste. Për këtë, Ruka edhe në takimet mjaft të suksesshme që ka ndërmarrë me elektoratin e rrethit të Tepelenës këto ditë, ka ripërsëritur qëndrimin e tij se pasiguria për vendin e punës nën kërcënimin e votës, do të marrë fund një herë e përgjithmonë më 28 qershor. Kjo politikë e ndjekur nga PD e ka zanafillën në dështimet e njëpasnjëshme të takimeve elektorale të kandidatëve të tyre për deputet në rrethin e Tepelenës ku si dekor shërbejnë fëmijët e shkollave dhe punonjësit e administratës të frikësuar nga humbja e vendit të punës, theksoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›