Djali i Fatmir Xhindit: Do të ndjek me fanatizëm rrugën e babait
Turi i takimeve të kandidatëve të partisë socialistët është ndalur në Roskovec, një ditë pas nderimit të deputetit të Fatmir Xhindi. Ka qenë e gjithë vëmendja e komunitetit e përqendruar pikërisht në këtë ditë, ku kanë dëgjuar nga afër edhe fjalët e kandidatit më të ri, Anduel Xhindi, që fati e lidhi me një ngjarje të dhimbshme.
Ky i fundit ndër të tjera ka thënë se të gjithë të rinjtë dhe ai së bashku me ta kërkon përgjigjen e shumë pse-ve. Prindërit tanë ëndërruan një jetë më të mirë, më shumë siguri për jetën, më shumë dinjitet për të qenë të lirë sit ë gjithë qytetarët e Evropës së qytetëruar. Slogani E duam Shqipërinë si gjithë Evropa, mbeti si një ëndërr në vite. Kemi 18 vjet që e presim, por që mbeti përsëri ëndërr e parealizuar. Sot pas 18 vitesh aspirohet përsëri të bëhemi si gjithë Evropa. Politika e vjetër e këtyre viteve e mbajti peng këtë edhe për prindërit tanë me baticat dhe zbaticat e saj e mbërthyer mes mllefit dhe përbaltjes në 18 vite tranzicion. A duhet të vazhdojmë të jemi pre e kësaj politike të vjetër edhe në të ardhmen? përgjigja është, jo. Kjo kohë duhet të mbyllet përgjithmonë ka thënë Junior Xhindi. Më tej, ai ka deklaruar se do të vijojë të ndjekë me fanatizëm rrugën e prere në mes të ëndrrës së të atit, i cili u votua për tre legjislatura rresht nga komuniteti i kësaj zone. Unë jam këtu për tu thënë të gjithëve se ëndrra nuk vritet me plumba, unë jam këtu si dëshmi e shpresës që nuk vdes, unë jam këtu si simbol i jetës që vazhdon. Dua edhe të kontribuoj në funksion të partisë socialiste, në funksion të fitores sonë të përbashkët, ka përfunduar djali i Fatmir Xhindit, kandidat i PS.